Një oficeri policie i është vënë zjarri pas një konfrontimi me demonstrues kundër dhunës në Meksikë. Protestat nisën pas vdekjes së një vendasi disa ditë më parë, pak pas arrestimit nga policia.
Incidenti i rëndë i regjistruar në video ndodhi në qytetin e Guadalajara, të provincës perëndimore Jalisco.
Video që po qarkullon në mediat sociale, tregon një grup oficerësh policie në motoçikleta që konfrontohen me protestuesit. Ndërsa në një moment një i ri i maskuar e me syze dielli lëshon lëng të djegshëm në kurrizin e policit dhe i vë zjarrin.
Polici vrapon e bie në trotuar teksa kolegët dhe kalimtarët e ndihmojnë të shuajë flakët. Më pas ai ngrihet në këmbë dhe largohet nga skena.
Protestat janë ndezur që prej vdekjes Giovanni Lopez, 30 vjeçarit që vdiq disa orë pas arrestimit pranë Guadalajara, prej dhunës së dyshuar të policisë. Vëllai i tij kishte publikuar një video ku tregohej dhuna e ushtruar nga policia gjatë arrestimit të Lopez.
Sipas raportimeve Lopez ishte ndaluar vetëm sepse nuk po mbante maskë në publik, por autoritetet e kanë mohuar. Rrethanat janë ende nën hetim.
Zhvillimi vjen në një kohë kur protestat kundër brutalitetit të policisë po zhvillohen në shumë vende të botës, që kanë përmendur secila viktimat e tyre. Në dhjetra qytete amerikane ato po zhvillohen në emër të George Floyd, afro-amerikani i paarmatosur që vdiq nga dhuna ekstreme gjatë arrestimit.
Në Francë protestuesit kërkojnë drejtësi për Adama Traore, i riu me ngjyrë që vdiq gjatë arrestimit në polici më 2016.