James O’Reilly, tashme 75 vjeç, i kishte bërë vajzat e vogla objekt abuzimesh të tmerrshme seksuale si dhe keqtrajtime fizike, refuzim ushqimi dhe mënyra të tjera degradimi, u tha në gjyqin e tij në kryeqytetin irlandez Dublin.
Gjatë abuzimeve që ndodhën mes viteve 1977 e 2000, O’Reilly përdhunoi një nga bijat e tij, duke e lënë shtatzënë në 1988. Prandaj ai e këshilloi atë të thoshte se ishte përdhunuar nga dikush tjetër.
Ai vazhdoi të abuzonte me të dhe ndaloi vetëm kur ajo e kërcënoi me thikë. Testet e mëvonshme të ADN treguan se ai ishte babai, dhe kjo u përdor kundër tij në dhënien e dënimit.
Një nga viktimat tha se ishte lënë pa ngrënë dhe ishte detyruar të lypte për ushqim, ndërsa një tjetër tha se nuk e dinte çfarë ishin dhuratat e Krishtlindjes deri sa ishte bërë e rritur.
O’Reilly, nga Killeens, në Irlandë, u deklarua i pafajshëm për 81 akuzat e përdhunimit dhe sulmeve seksuale. Por në fillim të vitit ai ishte shpallur fajtor nga juria për 58 përdhunime e 9 sulme seksuale.
Prokurorja Caroline Biggs SC, tha se shtatë vajzat kishin kërkuar të drejtën e anonimatit pas emërimit të abuzuesit të tyre. Ato shiheshin që festonin jashtë gjykatës kur u dha dënimi për O’Reilly.
O’Reilly ishte rreth 34 vjeç kur abuzoi viktimën e tij të parë, motrën e tij 13 vjeçare.Pas disa vitesh ai nisi të abuzonte me bijën e tij, në kohën kur nëna e saj ishte në spital shtatzënë.
Në vitin 1977, kur bija e tij ishte rreth tetë vjeç ai e përdhunoi në një furgon dhe i tha se nëse tregonte, do ta dërgonte për adoptim. Në gjyq u tha se familja jetoi gjatë një periudhe në një shtëpi në Dublin, por më shumë në një karavan të tërhequr me kalë, e më vonë në një shtëpi lëvizëse më moderne.