Hamasi ka propozuar një plan armëpushimi me tre faza që do të çonte në përfundimin e luftës.
Vendimi vjen si përgjigje e propozimit të dërguar javën e kaluar nga vendet ndërmjetëse Katari dhe Egjipti dhe të mbështetur nga SHBA dhe Izraeli.
Sipas një draft dokumenti të parë nga Reuters, kundërpropozimi i Hamasit parashikon tre faza që zgjasin 45 ditë secila.
Propozimi thotë që militantët të shkëmbejnë pengjet e mbetura izraelite që ata kapën më 7 tetor me të burgosur palestinezë.
Rindërtimi i Gazës do të fillonte, forcat izraelite do të tërhiqeshin plotësisht dhe trupat dhe mbetjet do të shkëmbeheshin.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken mbërriti gjatë natës në Izrael pas takimit me krerët e ndërmjetësve Katar dhe Egjipt.
Detajet e kundërofertës së Hamasit nuk janë raportuar më parë.
Sipas kundërpropozimit të Hamasit, të gjitha gratë izraelite pengje, meshkujt nën 19 vjeç, të moshuarit dhe të sëmurët do të liroheshin gjatë fazës së parë 45-ditore në këmbim të lirimit të grave dhe fëmijëve palestinezë nga burgjet izraelite.
Pengjet e mbetur meshkuj do të liroheshin gjatë fazës së dytë dhe do të këmbeheshin në fazën e tretë. Deri në fund të fazës së tretë, Hamasi pret që palët të kenë arritur marrëveshje për përfundimin e luftës.
Grupi, i cili qeveris Gazën, tha në një shtojcë të propozimit se dëshironte lirimin e 1500 të burgosurve, një e treta e të cilëve do të ishin nga lista e palestinezëve të dënuar me burgim të përjetshëm nga Izraeli.
Armëpushimi do të rriste gjithashtu fluksin e ushqimit dhe ndihmave të tjera për civilët e dëshpëruar të Gazës, të cilët po përballen me urinë dhe mungesa të rënda të furnizimeve bazë.
Izraeli filloi ofensivën e tij ushtarake në Gaza pasi militantët nga Gaza e sunduar nga Hamasi vranë 1200 njerëz dhe morën 253 pengje në jug të Izraelit më 7 tetor. Ministria e Shëndetësisë e Gazës thotë se të paktën 27.585 palestinezë janë konfirmuar të vrarë në fushatën ushtarake të Izraelit, me mijëra të tjerë dyshohet se janë varrosur nën rrënoja./vizionplus.tv