Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar një procedim penal ndaj gjyqtarit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Luan Daci.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar njoftoi të mërkurën se Luan Daci ka falsifikuar dokumentet gjatë aplikimit të tij për pozicionin si gjyqtar KPA-së.
“Nga veprimet hetimore të kryera lidhur me këtë procedim penal është provuar se shtetasi Luan Daci, me funksion Gjyqtar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, në aplikimin e kryer prej tij në datën 03.02.2017 për t’u emëruar në funksionin e mësipërm, ka paraqitur rrethana të rreme, duke mos deklaruar faktin se ndaj tij është marrë më parë masa disiplinore ″largim nga puna″,” tha SPAK
Sipas Prokurorisë së Posaçme Daci në vitet 1994-1997 ka ushtruar funksionin e Gjyqtarit në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe është larguar nga detyra në vitin 1997 nga KLD “për shkelje të ligjës dhe paaftësi në detyrë.″
Kjo masë disiplinore përbënte shkak ligjor që Daci të mos plotësonte kriteret formale për të aplikuar në pozicionin vakant Gjyqtar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.
“Në rrethanat e mësipërme, shtetasi Luan Daci është marrë në përgjegjësi penale nga Prokuroria e Posaçme për kryerjen e veprës penale ″Falsifikimi i dokumenteve″, të parashikuar nga neni neni 186, paragrafi (1) i Kodit Penal,” deklaroi SPAK.
Gjithashtu, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin Nr.54, datë 20.05.2020 ka vendosur ndaj shtetasit Luan Daci caktimin e masës së sigurimit ndaluese ″pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik″, duke e pezulluar nga atë funksioni Gjyqtar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.