Të mërkurën një gjykatëse federale amerikane vendosi të ndëshkojë me gjoba financiare dhe masa të tjera nëntë avokatë që kanë lidhje me ish-Presidentin Donald Trump. Sipas gjykatëses padia e tyre kundër rezultatit të zgjedhjeve të vitit 2020 në shtetin e Miçiganit, ishte një “abuzim historik dhe i rëndë i sistemit gjyqësor”.
“Është një gjë të ngresh akuza për manipulime në zgjedhje për të nxjerrë të vërtetën dhe komplet tjetër, të mashtrosh një gjykatë federale dhe popullin amerikan, në përpjekje për t’i bindur ato të besojnë se ka patur shkelje të ndonjë ligji apo të drejte“, shkruhet në vendimin e gjykatëses federale Linda Parker.
Avokatët e gjobitur janë Sidney Powell, Lin Wood, Emily Newman, Julia Haller, Brandon Johnson, Scott Hagerstrom, Howard Kleinhendler, Gregory Rohl dhe Stefanie Lynn Junttila.
Gjykatësja Parker urdhëroi që avokatët të ndjekin 12 orë klasa për edukim juridik, si dhe të rimbursojnë zyrtarët lokalë në Miçigan për shpenzimet e lidhura me padinë.
Gjykatësja njoftoi gjithashtu se vendimi i saj do t’i dërgohet çdo zyre avokatore apo gjykate federale, ku secili nga avokatët ushtron veprimtari, për masa të mundshme disiplinore.