Një gjykatë sllovene ka dënuar dy rusë me një vit e shtatë muaj burg në një gjyq me dyer të mbyllura, pasi u deklaruan fajtorë për spiunazh dhe përdorimin e kartave të rreme të identitetit, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve STA.
Dyshja, një burrë dhe një grua, tashmë ishin paraburgosur për të njëjtën periudhë dhe për këtë arsye nuk do të burgosen por do të deportohen, sipas gjykatës në kryeqytetin Ljubljana. Në të njëjtën kohë, atyre do t’u ndalohet hyrja në Slloveni për pesë vjet.
“Të pandehurit, të cilët thanë se emrat e tyre janë Ludwig Gies dhe Maria Rosa Mayer Muñoz, u deklaruan fajtorë”, tha gjykata në një deklaratë, pa thënë se kur do të deportoheshin.
Dy rusët u arrestuan në dhjetor 2022 në Slloveni, e cila është anëtare e NATO-s dhe Bashkimit Evropian, dhe fillimisht kishin pretenduar në mënyrë të rreme se ishin shtetas argjentinas.
Gjykata vendosi gjithashtu të konfiskojë sendet e përdorura dhe të destinuara për krimin, së bashku me paratë e marra nëpërmjet ose si rezultat i krimit, raporton STA. Vendimi nuk mund të ankimohet.
Gjyqi vjen ndërsa shtohen spekulimet mbi një shkëmbim të mundshëm të të burgosurve.
Sipas faqes private të lajmeve N1, duke cituar burime të paidentifikuara, këta dy shtetas rusë mund të jenë pjesë e një shkëmbimi të tillë, i cili pritet “brenda orëve të ardhshme mes Rusisë, SHBA-së, Gjermanisë dhe Bjellorusisë”. /vizionplus.tv