Gjermania ka një nga ligjet më liberale të prostitucionit dhe konsiderohet “bordeli i Evropës”. Por për shkak të epidemisë së Coronës shtëpitë publike janë mbyllur, sepse në to është e pamundur ruajtja e distancës fizike dhe sociale. Duke shfrytëzuar mbylljen e përkohëshme të shtëpive publike një grup deputetësh të Bundestagut gjerman u kanë dërguar një letër kryeministrave të landeve gjermane, me anë të cilës kërkojnë që masat për mbylljen e bordeleve nuk duhet të liberalizohen, sepse ato përbëjnë vatra infeksioni.
“Është mëse evidente që prostitucioni mund të shërbejë si një super-inkubator për përhapjen e sëmundjeve epidemiologjike, sepse aktet seksuale si rregull nuk janë të pajtueshme me distancimin social,” shkruajnë në letër 16 parlamentarët nga radhët e grupeve partive të partive CDU / CSU dhe SPD. Ata theksojnë po ashtu se edhe përndjekja e zinxhirëve të infeksionit do të jetë e vështirë, sepse shumica e njerëzve e mbajnë të fshehtë që frenkuentojnë bordelet.
Gratë që punojnë në to u nënshtrohen kushteve të rënda dhe armiqësore
Përveç problemeve epidemiologjike të lidhura me shtëpitë publike, parlamentarët theksojnë se gratë që punojnë në to u nënshtrohen kushteve të rënda dhe armiqësore dhe prandaj rihapja e bordeleve nuk është në favor të punonjëseve të seksit. Më mirë është që ato të dërgohen në kurse kualifikimi për profesione të tjera dhe t’u jepen ndihma për zhvillim profesional në industri të tjera. “Gratë kanë nevojë për kurse gjuhe, strehim, sigurim shëndetësor, punë dhe terapi për traumat,” theksojnë deputetët.
Edhe pse ligji ne Gjermani kërkon pajisjen me certifikatë për ushtrim profesioni si prostitutë, aktualisht në Gjermani të regjistruara zyrtarisht janë rreth 33,000 punonjëse seksi. Ndërkohë që shoqatat dhe organizatat e ndihmave llogarisin që në Gjermani ofrojnë shërbimet e tyre nga 200,000 deri në 1 milion prostituta, shumica e tyre nga Evropa Lindore.
(pp/dpa)