Cleo Smith , një vajzë katër vjeçare e cila u zhduk nga një kamping në Australi mëshumë se dy javë më parë, u gjet “shëndoshë e mirë”. Këtë e ka bërë të ditur policia e Australisë Perëndimore e cila saktësoi se e kishin gjetur vajzën e vogël në një shtëpi në Carnarvon në të cilën oficerët hynë dhe arrestuan një burrë.
“Ajo është gjallë dhe mirë”, theksoi një officer policie.
Vajza e vogël u mbyll brenda një shtëpie në Carnarvon, në Australinë Perëndimore, afër vendit ku u pa për herë të fundit 18 ditë më parë.
“Një nga oficerët e përqafoi dhe e pyeti ‘si e ke emrin?”, tha zëvendëskomisioneri Kol Blanch. Vajza më pas u përgjigj: “Unë quhem Cleo”.
Oficerët hynë në ndërtesë gjatë natës dhe arrestuan një 36-vjeçar, i cili sipas policisë nuk ka asnjë lidhje me familjen e fëmijës.
Cleo iu bashkua prindërve të saj menjëherë pasi u gjet nga policia.
“Familja jonë është përsëri e kompletuar”, tha nëna e saj Ellie në një mesazh që shoqëronte një foto të vajzës së saj të postuar në Instagram.
Për dy javë, kërkimet për të gjetur Cleo u përhapën në të gjithë vendin.
Policia nuk ka dhënë ende detaje mbi rrethanat e sakta të zhdukjes së Cleos apo se si u gjet ajo.
“Ne kishim ndjekur shumë të dhëna dhe erdhëm në një shtëpi private,” tha komisioneri Chris Daëson për radion ABC.
Policia muajin e kaluar ofroi një shpërblim prej 1 milion dollarësh (750,000 dollarë amerikanë) për çdo informacion që mund të ndihmonte në gjetjen e vajzës./TGCOM