Të paktën tetë persona janë ekzekutuar nga sulmet izraelite, teksa ishin në resht për të marrë ndihma në një kamp refugjatësh në Gaza.
Ata u vranë në një sulm ajror izraelit, sipas dëshmitarëve palestinezë. Dy fëmijë dhe nëna e tyre u plagosën gjithashtu, ndaj u dërguan në Spitalin e Martirëve Al-Aksa, sipas pamjeve të CNN.
Videot e publikuara tregojnë radhë burrash palestinezë që dynden jashtë spitalit në Deir al-Balah. Pellgjet e gjakut mbuluan dyshemetë e objektit mjekësor.
Familjarët e viktimave u panë mbi trupa të mbuluar me qefin, teksa vajtonin për humbjen e tyre.
“Familja ime doli për të marrë disa mallra për të mbijetuar dhe u vra me gjakftohtësi,” tha Nidal Abdo, një banor i Al-Maghazi. “Ne nuk e kuptojmë se çfarë po ndodh. Kjo është e tepërt për ne për të duruar… Gjakderdhja nuk ndalet.”
Izraeli vijon të godasë kampe refugjatësh palestinezë, ndonëse thekson se civilët nuk janë objektiv./vizionplus.tv