Izraeli u është rikthyer bombardimeve në rripin e Gazës edhe në ditën e dytë pas prishjes së armëpushimit me Hamasin pavarësisht thirrjeve për zgjatjen e afatit të tij.
Shtëllunga tymi janë parë sërish mbi Gaza, ndërsa autoritetet palestineze bëjnë me dije se në 24 orët e fundit janë vrarë rreth 200 persona.
Sulmet pas armëpushimit janë përqendruar në pjesën jugore të rripit të Gazës, kryesisht në zonën e Khan Yunis, ku ushtria hodhi fletë palosje një ditë më parë.
Banorët dolën në rrugë me sende të grumbulluara në karroca, duke kërkuar strehim më në perëndim të vendit. Izraeli deklaroi se forcat e tij ajrore, tokësore dhe detare sulmuan mbi 400 objektiva.
Rikthimi i operacionit ushtarak izraelit, këtë herë në jug të rripit të Gazës ku është zhvendosur pothuajse e gjithë popullsia prej dy milionë banorësh, ka rikthyer frikën e një katastrofe humanitare.
Futja e ndihmave megjithëse të pamjaftueshme është ndërprerë plotësisht me prishjen e armëpushimit.
Banorëve civilë iu është kërkuar të shkojnë në strehimoret që ndodhen në jug.
Të dyja palët fajësuan njëra-tjetrën për prishjen e marrëveshjes 7 ditore.
Pala izraelite tha se Hamasi nisi sulmet në jug të vendit dhe nuk bëri të ditur listën e emrave të grave dhe fëmijëve që po mbahen peng.
Ndërsa grupi i armatosur thotë se nuk ka më pengje gra dhe fëmijë, po një gjë e tillë nuk besohet nga Izraeli.
Ndërkohë, negociatorët përfshirë Katarin Egjiptin dhe SHBA po vijojnë përpjekjet për rikthimin e armëpushimit./vizionplus.tv