Pavarësisht rritjes së numrit të viktimave të civilëve dhe përkeqësimit të shpejtë të situatës humanitare, Izraeli është zotuar të intensifikojë bombardimet e tij ajrore të Rripit të rrethuar të Gazës dhe ta zgjerojë atë në një operacion shumëplanësh. Siç autoritetet izraelite shprehen, ata kërkojnë të zhdukin Hamasin , i cili është shpallur nga Izraeli, Bashkimi Evropian dhe SHBA si organizatë terroriste.
Situata e krijuar ka nxjerrë në pah një tjetër shqetësim, atë të përsëritjes së historisë, një Nakba tjetër, emri që Arabët përdorin për dëbimet masive që pasuan luftën arabo-izraelite të vitit 1948. Ky “kërcënim” për krijimin e të tjerë emigrantëve po ndihet në të gjithë rajonin.
Ndonëse Izraeli nuk ka thënë se synon të dëbojë banorët e Gazës në Egjipt, frika për perspektiva të tilla u ngrit pasi Forcat e Mbrojtjes të Izraelitu kërkuan banorëve të Gazës të evakuohen të lëvizin drejt jugut, ndërsa operacioni i tyre ushtarak vazhdonte. Shqetësimi u rrit edhe pasi Sekretari i Shtetit, Antony Blinken tha se SHBA ishte në bisedime me Egjiptin dhe Izraelin për të krijuar një korridor humanitar në Gadishullin Sinai të Egjiptit për amerikanët dhe civilët e tjerë që ikin nga Gaza.
Synimi që qindra mijëra palestinezë të tjerë të zhvendosen me forcë në vendet fqinje, apo edhe më larg, po dënohet në të gjithë botën arabe.