Ministri i Jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian, ka paralajmëruar të hënën se “të gjitha elementet” janë në vend që Rusia të nisë “ofensivë masive” kundër Ukrainës, pasi Moska ka mbledhur mijëra trupa në kufij.
“A ekzistojnë të gjitha elementet për ofensivë masive nga forcat ruse në Ukrainë? Po ekzistojnë, është e mundshme, e mundshme shpejt”, ka thënë Le Drian për televizionin France 5.
Megjithatë, nuk ka asgjë që sugjeron se Moska ka marrë atë vendim, ka shtuar ai.
“Ende është e mundshme zgjidhja diplomatike dhe kjo është e sigurt”, ka thënë Le Drian.
Të martën, presidenti rus, Vladimir Putin do të takohet me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, një prej liderëve të Perëndimit që kanë vizituar Kremlinin këto ditë.
Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar se pushtimi rus ndaj Ukrainës mund të jetë i shpejtë, andaj aleatët e Perëndimit kanë kërcënuar me sanksione të ashpra si përgjigje.
Le Drian ka thënë se ka nevojë urgjente për ulje të tensioneve.
“Putin dëshiron të parandalojë Ukrainën që të ketë sovranitetin e saj. Nëse sovraniteti apo integriteti i Ukrainës sfidohen nga një intervenim i madh në Rusi, atëherë do të ketë pasoja të mëdha, sanksione masive”.
Ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, ka njoftuar të hënën për fundin e disa stërvitjeve të Moskës në Rusi dhe Bjellorusi, ndonëse disa kanë thënë se ato janë duke vazhduar.
Më herët gjatë ditës së hënë, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, i ka thënë presidentit rus, Putin se ka “mundësi” për të arritur marrëveshje me Perëndimin për çështje të sigurisë./ Rel