Franca dhe Gjermania kanë njoftuar se do të testojnë për koronavirus pasagjerët që vijnë nga vendet me rrezik të lartë, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Po ashtu, ata do të përfshijnë edhe karantinën e detyrueshme 14-ditore.
Duke folur gjatë një vizite në Aeroportin Charles de Gaulle në Paris të Premten, Kryeministri Francez Jean Castex konfirmoi një listë të 16 vendeve “të kuqe”, udhëtarët e të cilëve pas mbërritjes do t’i nënshtrohen testimit “sistematik”.
Sipas zyrës së kryeministrit, në 16 vendet përfshihen Afrika e Jugut, Algjeria, Bahreini, Brazili, Emiratet e Bashkuara Arabe, Shtetet e Bashkuara, India, Izraeli, Kuvajti, Madagaskari, Omani, Panamaja, Peruja, Katari, Serbia dhe Turqia.
Ndërsa kufijtë e Francës me këto vende mbeten të mbyllura, siç u njoftua më parë nga qeveria franceze, politika e re e testimit do të zbatohet për shtetasit francezë që banojnë në vendet e zonës “të kuqe” dhe u lejohet të kthehen në Francë ose shtetas të huaj që kanë një vendbanim “të qëndrueshëm” në Francë.
Udhëtarët të cilët rezultojnë pozitivë pas mbërritjes në Francë do t’i nënshtrohen një karantine 14-ditore derisa situata e tyre të kthehet normale.
Gjermania prezantoi gjithashtu një politikë të re të testimit vullnetar për udhëtarët që vijnë nga vendet me rrezik të lartë.
“Të gjithë njerëzit që kthehen nga vendet me rrezik të lartë për në Gjermani janë të detyruar të hyjnë në karantinë 14-ditore, dhe kjo karantinë mund të përfundojë vetëm me një rezultat negativ të testit. Ne gjithashtu vendosëm që njerëzit që kthehen nga vendet me rrezik të lartë duhet të testohen. Kostoja e testeve do të mbulohet gjithashtu nga autoritetet gjermane”, u tha gazetarëve Ministri i Shëndetësisë i Berlinit, Dilek Kalayci.
The post Franca dhe Gjermania, testim dhe karantinë të detyrueshme për udhëtarët nga vendet e “kuqe” appeared first on Vizion Plus.