Kthimi i masave antiCovid në disa vende të ndryshme të Europës, për shkak të rritjes së numrit të infektimeve, ka sjellë pakënaqësi të madhe te banorët dhe kundërshtinë e tyre.
Mijëra banorë në Holandë, Austri dhe Itali zaptuan sheshet kryesore në disa qytete për t’u shprehur kundër vendimit të autoriteteve.
Në Holandë, protestat përshkallëzuan në dhunë, ku pjesëmarrësit u përplasën me policinë, e cila u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës dhe në disa raste dhe me plumba gome. 2 persona mbetën të lënduar, ndërsa 100 të tjerë u arrestuan gjatë marshimeve gjigante në Amsterdam, Roterdam dhe Hagë.
Sipas rregullave të reja, baret dhe restorantet do të duhet të mbyllen në orën 20:00, aktivitetet sportive do të vijojnë të zhvillohen me dyer të mbyllura, ndërsa numri i personave që një familje mund të presë në shtëpi u kufizua në 4.
Austria, është shteti i parë europian që riktheu izolimin total pas disa muajsh. Tashmë i gjithë vendi do të mbyllet për 20 ditë nga e hëna dhe përjashtim nuk bëjnë as të vaksinuarit.
Mbi 10 mijë persona dolën në rrugë mbrëmjen e së shtunës për të kundërshtuar vendimet e kancelarit dhe refuzuan thirrjet e policisë për të vendosur maskat.
Milano dhe Roma ishin dy kryeqendrat e protestave italiane ndaj masave antiCovid. Incidente pati mes policisë dhe protestuesve, por që fatmirësisht situata nuk përshkallëzoi në përplasje.