NASA ka nisur testimet për një mjet ajror të ri elektrik, i cili është një ndërthurje mes një avioni e një helikopteri që mund të ngrihet dhe ulet vertikalisht. Ai pritet të jetë gati për përdorim të gjerë brenda vitit 2024.
Ekipi i NASA-s që punon për këtë projekt prej kohës në Kaliforni është shprehur se mjeti i ri ajror mund të fluturojë me 320 kilometra në orë, mund të ngrihet vertikalisht dhe në një të ardhme të afërt mund të shërbejë si taksi në qytetet e ngarkuara, një alternativë e re transporti për njerëzit dhe mallrat.
Testimet kanë nisur më 1 shtator dhe janë parashikuar të zgjasin 10 ditë. Zyrtarët e NASA-s do të testojnë performancën dhe zhurmën e avionit, i cili do të ketë 6 helika të vendosura si ato te një dron, të cilat do të sigurojnë zhvendosjen, por edhe qendrueshmëri. Ky projekt është i pari për të cilin nisin testimet në programin e NASA-s, Advanced Air Mobility, i cili synon gjetjen e mënyrave më të shpejta të transportit publik për të ardhmen.