Forcat izraelite kanë vrarë tre luftëtarë palestinezë gjatë një bastisjeje në një kamp refugjatësh të kryer më 22 maj në Bregun e pushtuar Perëndimor. Ushtria izraelite tha se operacioni shënjestroi “terroristë” të dyshuar.
Në një deklaratë, Ministria palestineze e Shëndetësisë i identifikoi të vrarët në kampin Balata si Muhammad Abu Zaytoun, 32 vjeç, Fathi Abu Rizk, 30, dhe Abdullah Abu Hamdan, 24 vjeç.
Brigadat e Martirëve të Al-Aksës, një krah i armatosur i partisë Fatah, të presidentit të Autoritetit Palestinez, Mahmud Abbas, tha përmes një deklarate se tre të vrarët ishin “luftëtarë” të këtij grupi.
Ushtria izraelite tha se ka qëlluar disa luftëtarë gjatë përleshjes së armatosur në operacionin “kundër terrorizmit”.
Gjatë operacionit, “të dyshuarit e armatosur qëlluan drejt ushtarëve, të cilët u përgjigjën me zjarr”, tha ushtria.
Ushtria izraelite po ashtu bëri të ditur se ka arrestuar tre të dyshuar që po kërkoheshin nga autoritetet “për aktivitete terroriste” dhe se gjatë operacionit janë konfiskuar armë dhe municion.
Zëdhënësi i Abbasit, Nabil Abu Rudeineh, kritikoi Shtetet e Bashkuara se po “heshtin” teksa sipas tij, forcat izraelite po përshkallëzojnë sulmet. Ai i bëri thirrje Uashingtonit “që menjëherë të ndërhyjë për të ndalur këtë çmenduri të izraelitëve që do të çojë rajonin drejt një shpërthimi”.
Izraeli ka pushtuar Bregun Perëndimor më 1967 dhe forcat e tij rregullisht kryejnë operacione në qytetet e banuara nga palestinezët, që janë nën kontrollin e Autoritetit Palestinez.
Gjatë muajve të fundit ka pasur rritje të operacioneve izraelite në zonat e banuara nga palestinezët./rel