Një raketë me katër astronautë në bord do të lëshohet mbrëmjen e së mërkurës nga Qendra Hapësinore Kennedy. Ky është fluturimi i parë privat nga kompania SpaceX që do të udhëhiqet nga një sipërmarrës 38-vjeçar i cili financon udhëtimin që do të zgjasë tre ditë.
Për herë të parë në 60 vite të fluturimeve në hapësirë, një raketë do të lëshohet në orbitë me katër astronautë privatë në bord.
Misioni i quajtur “Inspiration4” do të zgjasë tre ditë. Katër pasagjerët do të rrotullohen rreth orbitës së poshtme të Tokës në një lartësi prej rreth 540 kilometrash.
Fluturimi i parë privat nga kompania SpaceX do të udhëhiqet nga sipërmarrësi 38-vjeçar Jared Isaacman, i cili po financon të gjithë udhëtimin.
Atë e shoqërojnë dy fitues të llotarisë në udhëtimin treditor, së bashku me një punonjëse të kujdesit shëndetësor që i mbijetoi kancerit kur ishte fëmijë.
Ata do të udhëtojnë në kapsulën e automatizuar plotësisht, Dragon, të njëjtin model që përdor SpaceX në misionet e NASA-s për të dërguar astronautët në Stacionin Hapësinor Ndërkombëtar. Jared Isaacman është komandat i misionit “Inspiration4” dhe financues i saj.
“Ne synojmë të frymëzojmë njerëzit për mundëstë që ofron hapësira por edhe për ato që mund të arrihen në Tokë. Kjo është arsyeja se pse Spitali Kërkimor për Fëmijët St. Jude është pjesë kaq e rëndësishme e misonit tonë. Pjestarët e misionit Chris, Hayley dhe Dr . Proctor kanë histori shumë frymëzuese”.
Financuesi Isaacman ofroi një vend në kapsulë për Spitalin St. Jude dhe ata zgjodhën ndihmës mjeken 29 vjeçare Hayley Arcenenux, ish paciente që tani punon në spitalin e njohur në Memfis të shtetit Tenesi (Memphis, Tennessee).
Ajo ishte 10 vjeçe kur u diagnostikua me kancer në kocka dhe një pjesë e madhe e kockës së kofshës së majtë u zëvendësua me një shufër titaniumi. Ajo do të jetë personi i parë në hapësirë me protezë dhe gjithashtu amerikania më e re në hapësirë.
“Synimi kryesor i misonit tonë është të frymëzojmë njerëzit që të kapërcejnë pengesat, dhe ne po i thyejmë këto barriera në mënyra të ndryshme. Përpjekja për mbledhje fondesh prej 200 milion dollarësh për spitalin e fëmijëve me kancer është më e madhja ndonjëherë. Këto fonde do të përdoren për kërkime për kancerin për të ndihmuar fëmijët e prekur dhe për financimin e trajtimit të tyre”, thotë zonja Arcenenux.
51 vjeçarja Sian Proctor është arsimtare në një shkollë profesionale në Tempe të shtetit Arizona dhe u përzgjodh mes konkurrentëve të tjerë. Gjithashtu pilote, ajo ishte finaliste e NASA-s më shumë se një dekadë më parë.
42 vjeçari Chris Sembroski nga Everett i shtetit Uashington është inxhinier statistikash dhe më parë ka qënë pjestar i Forcave Ajrore amerikane. Ai nuk fitoi llotarinë por një mik nga koha e fakultetit i dhuroi vendin e tij.
Të katër udhëtarët privatë janë trajnuar për fluturimin për disa muaj dhe pritet të lëshohen drejt hapësirës mbrëmjen e së mërkurës. Nuk dihet se sa ka paguar miliarderi 38 vjeçar për të financuar misionin. NASA nuk është e përfshirë në këtë mision.