Hetuesit ndërkombëtar kanë shkatërruar një nga softuerët më të rrezikshëm në botë që përdorej për të hakuar rrjete kompjuterike.
Infrastruktura e sistemit Emotet, e cila përdorej kryesisht nga rrjetet e krimit të organizuar, tani është nën kontrollin e autoriteteve, njoftoi Agjencia e Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (Europol) me seli në Hagë.
Operacioni u zhvillua pas hetimeve që zgjatën dy vjet në tetë vende.
Europol nuk njoftoi për ndonjë arrestim në lidhje me hetimin, që është udhëhequr nga Gjermania dhe Holanda.
Emotet ka qenë një nga “instrumentet më të rrezikshëm për sulme kibernetike” në vitet e fundit, tha një zëdhënës i Europol, duke shtuar se ky softuer ishte vendosur në funksion për herë të parë më 2014 si i ashtuquajtur Trojan.
Ky sistem qëllimkeq përdorte një dokument në Word, në dukje i padëmshëm, për të hyrë në një sistemin kompjuterik.
Kriminelët i përdorën këto sisteme me qëllim që të fitonin qasje në të dhënat bankare, të shisnin të dhëna të vjedhura ose të zhvatnin para për të dhëna të bllokuara.
Virusi kompjuterik ishte i fshehur në fatura të rreme, njoftime ose informacione të rreme në lidhje me COVID-19, transmeton DPA./ REL