Ndërkohë që rastet me COVID-19 vazhdojnë të shtohen në Europë, kohët e fundit vëmendja është fokusuar tek çështja e të pavaksinuarve.
Deri tani, masat kanë përfshirë certifikatat e gjelbra e deri tek karantinimi për ata që nuk pranojnë të vaksinohen.
Por, tani më shumë se kurrë, shtete të ndryshme në Europë po konsiderojnë vaksinimin e detyruar, gjë që sigurisht është bërë shkak për polemika të shumta.
Ndërkohë që vaksinat e detyruara për fëmijët ekzistojnë në shumë shtete – si për shembull vaksinimi kundër fruthit – ekspertët e etikës shprehen se është shumë më e vështirë t’iu a kërkosh të rriturve të vaksinohen me detyrim.
Më poshtë është një pasqyrë më e detajuar e situatës që po kalon Europa për sa i përket vaksinimit të detyruar kundër COVID:
Austria
Duke nisur nga 1 shkurti, vaksinimi do të jetë i detyruar në Austri – vendi i parë në Europë që ka prezantuar një rregullore të tillë.
Kancelari austriak, Alexander Schallenberg, ka thënë se është “e vetmja mënyrë për t’i shpëtuar një cikli vicioz valësh COVID”.
Greqia
Greqia do të nisë të gjobisë këdo mbi moshën 60 vjeç i cili nuk vaksinohet.
Ata do të gjobiten 100 euro në muaj nëse nuk vaksinohen deri më 15 janar.
Kryeministri Kyriakos Mitsotakis e ka mbrojtur tezën e tij duke thënë se kjo grup-moshë ka përfaqësuar 90% të vdekjeve si pasojë e COVID-19.
Gjermania
Deputetët e parlamentit gjerman pritet të votojnë mbi çështjen e vaksinimit të detyruar.
Olaf Scholz ,i cili pritet të emërohet kancelari i Gjermanisë gjatë këtij muaji, ka thënë se do të duhet një votim në Bundestag dhe se ai shpreson se deputetët do të votojnë në favor.
Edhe Angela Merkel ka thënë se po të ishte në Bundestag do të votonte pro kësaj nisme, edhe pse më parë ajo ka thënë se vaksinimi nuk do të bëhej kurrë i detyruar.
Italia
Italia ishte vendi i parë i cili detyroi stafin mjekësore të vaksinohej në përpjekje për të mbrojtur pacientët.
Së fundmi ata e shtrinë këtë detyrim edhe për mësuesit dhe stafin administrativ, atë ushtarak, policor si dhe ndihmën e shpejtë.
Në vend që ta aplikonte vaksinimin e detyruar edhe më tej, Italia ka shtuar verifikimet për ‘certifikatën COVID’.
Franca
Që prej shtatorit, Franca ka detyruar të gjithë profesionistët në shëndetësi, zjarrfikësit dhe punonjësit e transportit që të vaksinohen.
Njerëzit me profesione të cilat i vënë ata në kontakt të vazhduar me publikun gjithashtu duhet të pajisen me një certifikatë COVID.
Hyrja në bare, restorante, palestra dhe ngjarje apo evenimente gjithashtu kërkon paraqitjen e kësaj certifikate.
Mbretëria e Bashkuar
Vaksinat kundër COVID-19 u bënë të detyruara për të gjithë punonjësit e shëndetësisë që prej muajit prill.
Ndërkohë, ministri britanik i shëndetësisë Sajid Javid ka thënë për BBC se ai nuk mendonte se në shtetin anglez do të vinte ndonjëherë dita që vaksinimi të bëhej me detyrim për popullsinë e gjerë.
Suedia
Një zëdhënës i ministrisë së shëndetësisë suedeze ka thënë për Euronews se qeveria nuk ka asnjë plan që të miratojë vaksinimin e detyruar.
“Duke e mbajtur vaksinimin vullnetar, duke ndërtuar besimin dhe ndihmuar qytetarët tanë se si të bëjnë veprimet e duhura, kemi provuar se është një zgjidhje shumë më e suksesshme,” – tha ai.
Që prej 1 dhjetorit, Suedia vendosi ta bëjë të detyruar certifikatën COVID për të hyrë në evente në ambiente të mbyllura të cilat kishin më tepër se 100 njerëz.
Hungaria
Vaksinimi është i detyruar për të gjithë punonjësit e shëndetësisë, mësuesit e shkollave publike si dhe administratën publike.
Kompanitë private janë të lirë të vendosin nëse duan t’i detyrojnë punonjësit të vaksinohen ose jo.
Danimarka
Javën e shkuar, kryeministri danez Mette Frederiksen tha se “me shumë mundësi do të lihet në dorë të individit për ta marrë këtë vendim”.
Sidoqoftë, Danimarka ka vënë në zbatim pajisjen me certifikatë COVID për të hyrë në ambiente të ndryshme si restorante, kinema apo parukeri.
Zvicra
Qeveria zvicerane ka thënë se “në aspektin ligjor, obligimi i përgjithshëm për t’u vaksinuar do të shmanget”.
“Informacioni transparent dhe i kuptueshëm duhet të mjaftojë për ta lejuar këdo të marrë vendimin e tij,” – thanë ata.
Karta apo certifikata COVID kërkohet për të hyrë në shumë ambiente të mbyllura.
Letonia
Letonia ka vendosur masa të cilat i kufizojnë njerëzit e pa vaksinuar.
Që prej 15 dhjetorit, punonjësit duhet të paraqesin dokument vaksinimi ose certifikate COVID. Administrata publike është e përfshirë, doktorët, mësuesit etj.
Sllovenia
Nuk ka ende asnjë detyrim për t’u vaksinuar kundër coronavirusit nga Sllovenia.
Bullgaria
As Bullgaria nuk ka miratuar vaksinim të detyruar për grupe të caktuara profesionistësh apo grup-mosha të ndryshme.
Por, certifikatat COVID janë të detyruara që prej tetorit për të hyrë në restorante, kinema, koncerte, palestra apo ambiente të tjera publike.