Europa, ku më shumë se 173 000 persona kanë humbur jetën si pasojë e koronavirusit të ri, vazhdon me kujdes të rikthehet në normalitet, ndërkohë që SHBA-ja po i afrohet pragut prej 100 000 të vdekur dhe më shumë se 40 000 persona kanë humbur jetën në Amerikën Latine dhe Karaibe.
Në Europë, ku pandemia duket nën kontroll, gjithnjë e më shumë vende po heqin një nga një masat kufizuese të vendosura në kulmin e krizës.
Në Spanjë, disa plazhe janë lejuar të hapen, gjithashtu dhe tarracat e bareve në Madrid dhe në Barcelonë.
Në Itali, sportistët do të mund të rikthehen në pishina dhe në qendrat sportive duke nisur nga sot.
Në Greqi, një e treta e bareve dhe restoranteve, që mund të shërbejnë jashtë, do të presin klientët pas më shumë se dy muaj të mbyllura. Autoritetet greke do të njoftojnë gjithashtu rihapjen e shkollave fillore duke nisur nga 1 qershori.
Britania e Madhe konfirmoi dje planin për lehtësimin gradual të masave, me një rihapje të pjesshme të shkollave më 1 qershor.
Në Islandë, diskotekat, baret dhe sallat e sporteve do të mund të rihapen sot. Vendi njoftoi për herë të parë lehtësimin e masave më 4 maj duke rihapur gjimnazet dhe universitetet, muzetë dhe parukeritë. Pishinat u autorizuan gjithashtu të rihapen më 18 maj.
Në Republikën Çeke është autorizuar rihapja e restoranteve, bareve, hoteleve, kopshteve zoologjike, pishinave, artistët e tatuazheve dhe shkollat fillore do të mirëpresin nxënësit mbi baza vullnetare. Vendosja e maskës nuk do të jetë më e detyrueshme, përveç në dyqane dhe transportin publik.
Në Gjermani, shumica e restoranteve do të mund të hapen sot, si disa hotele në zona turistike, por pothuajse të gjitha baret do të vazhdojnë të qëndrojnë të mbyllura.
Kontakti i ngushtë mbetet i kufizuar për anëtarët e dy familjeve në një kohë.