Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka deklaruar se e vetmja mënyrë për t’i dhënë fund pandemisë së koronavirusit të ri është eliminimi global i këtij virusi.
Siç njoftoi presidenti Erdoğan pas takimit të kabinetit të tij, Turqia gjatë festës së Fitër Bajramit do të imponojë orë policore në mbarë vendin për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.
“Turqia me sukses po e fiton betejën kundër këtij shpërthimi”, theksoi Erdogan.
Erdogan kërkoi nga qytetarët që të respektojnë rregullat e distancimit social, duke paralajmëruar se do të ndërmerren masa më të rrepta nëse regjistrohet një rritje e përhapjes së virusit.
Më tej, Erdogan tha se vendi i tij nuk po përballet me ndonjë vështirësi në përmbushjen e kërkesave për pajisje mjekësore dhe higjienike.
Duke iu referuar ndalimit të udhëtimit në 15 qytete të mëdha të vendit, ai njoftoi se kjo masë është zgjatur për 15 ditë.
Autoritetet shëndetësore turke deri më tani kanë raportuar 150 593 raste të zbuluara me COVID-19, prej të cilëve 111.577 janë shëruar dhe 4.171 kanë vdekur.