Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, kritikoi masat e presidentit të Francës, Emmanuel Macron, për të luftuar aktivizmin islamik, duke pretenduar se ato, në të vërtetë, kanë qëllim “për të larë hesape” me myslimanët.
“Ata që janë të shqetësuar nga rritja e Islamit, e sulmojnë fenë tonë duke nxjerrë kriza të shkaktuara nga vetë ata”, tha Erdogan në një video-mesazh për një samit të Organizatës për Bashkëpunim Islamik, transmeton DPA.
Një retorikë që është “anti-islame” dhe “anti-myslimane”, është “aparati më fitimprurës i përdorur nga politikanët perëndimorë, për t’i fshehur dështimet e tyre”, tha Erdogan.
“Islami francez, Islami evropian ose Islami austriak janë shembuj të kësaj”, shtoi ai.
Këtë muaj, Macron ka shpalosur masat për shtypjen e radikalëve islamikë dhe për ndërtimin e një forme të Islamit në përputhje me, siç ka thënë, “vlerat e Republikës”.
Ai ka thënë se qeveria e tij është duke punuar me përfaqësuesit kryesorë të myslimanëve në vend, për të ndërtuar një “Islam të iluminizmit”, që mund të jetë “në paqe me Republikën”.
Erdogan tha se qëllimi kryesor i iniciativave të Macronit është “t’i lajë hesapet me Islamin dhe mylimanët”.
“Nën maskën e luftimit të ekstremizmit… qëllimi është [për të krijuar] një profil të një qytetari mysliman pasiv, të druajtur dhe pa pretendime, i cili nuk reagon ndaj mizorisë”, tha Erdogan.
Javën e kaluar në Francë, një islamist i dyshuar i ka prerë kokën një mësuesi të historisë, i cili, në një orë mësimi, ka treguar karikaturat e Profetit Muhamed.
Ngjarja ka ngjallur zemërim te myslimanët, të cilët besojnë se çdo përshkrim i Profetit është blasfemi./R.E.L