Recep Tayyip Erdogan shprehu kënaqësinë e tij për mbarëvajtjen e kërkesës së Turqisë nga SHBA-ja për furnizimin me 40 avionë luftarakë F-16 dhe përmirësimin e 79 avionëve të tjerë të të njëjtit lloj .
“Jemi të kënaqur që kërkesa jonë për F-16, të cilën e kemi ndjekur prej disa kohësh me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është plotësuar pozitivisht”, tha Erdogan pas mbledhjes së kabinetit të tij qeveritar.
Ai pohoi gjithashtu se pas heqjes së masave ndaj Turqisë, industria turke e mbrojtjes do të zhvillohet edhe më shumë.
Po ashtu, Erdogan u shpreh i emocionuar edhe për repartet e reja që iu bashkuan marinës turke.
“Ne vazhduam dhe do të vazhdojmë kursin tonë pa i kushtuar vëmendje kundërshtarëve këmbëngulës. Ne vazhdojmë të korrim frytet e investimeve tona në industrinë e mbrojtjes”, tha ndër të tjera ai./vizionplus.tv/