Në Turqi, monedha turke ra në nivelin më të ulët prej 14 lirash kundrejt dollarit. Kështu, lira ka humbur më shumë se 46 për qind të vlerës së saj këtë vit. Por në një intervistë për televizionin turk TRT, Erdogan theksoi se vendi i tij nuk do t’i nënshtrohet kërcënimeve ekonomike përmes tregjeve financiare.
“Ekonomia e Turqisë ka aftësinë për t’iu kundërvënë këtyre kërcënimeve. Ne do t’i rezistojmë fuqishëm këtyre kërcënimeve dhe nuk mund të dobësohemi apo pengohemi më duke manipuluar me monedhat e huaja”, tha ai.
Erdogan ka mbrojtur edhe një herë modelin e ri ekonomik, duke thënë se ai bazohet në uljen e normave të interesit pavarësisht një norme inflacioni prej afër 20 për qind. Ai deklaroi se “sistemi i interesit është ai që i bën të pasurit më të pasur dhe të varfërit më të varfër”.
“Jemi duke u përballur me manipulime me valutën dhe normat e interesit dhe vetëm ne mund ta parandalojmë këtë”, tha ai. “Sa herë që Turqia përpiqet të dalë nga sistemi i normave të larta të interesit, ajo gjithmonë përballet me presione manipuluese mbi kursin e këmbimit”, shtoi ai.
Ai deklaroi se ka fonde financiare botërore afatshkurtra që hyjnë në vend për të arritur të ardhura të larta nga interesi dhe tha: “Kështu biem në spiralen e interesave-kamatave, por nuk do të vazhdojmë kështu. Nuk do t’i lejojmë ata të pengojnë investimet dhe prodhimin dhe nuk do t’i lejojmë të destabilizojnë rritjen dhe do të dalim nga kjo spirale.”
Presidenti turk beson se vendi i tij mund t’i kundërshtojë lehtësisht këto kërcënime. “Ne kemi theksuar në Këshillin e Sigurisë Kombëtare se jemi të vetëdijshëm për këto kërcënime dhe se jemi të fortë dhe të vendosur për të marrë masa kundër tyre”.