Nga Kenneth Roth*
Gjatë dekadës së shkuar, autokratët në mbarë botën e përsosën teknikën e demokracisë së “menaxhuar” ose “të udhëhequr”. Në Bjellorusi, Egjipt, Rusi, Ugandë, Venezuelë dhe gjetkë, udhëheqësit autoritarë kanë mbajtur zgjedhje periodike për të rritur legjitimitetin e tyre, por ndërkohë i monopolizuan mediat, e kufizuan veprimtarinë e shoqërisë civile dhe i manipuluan institucionet dhe burimet shtetërore për të garantuar qëndrimin e tyre në pushtet.
Gjithsesi, metoda të tilla nuk janë kurrë të pagabueshme, dhe efektiviteti i tyre është zbehur pasi qytetarët janë zgjuar dhe kanë mësuar të veprojnë edhe brenda sistemeve të manipuluara. Prandaj një numër në rritje autokratësh janë detyruar të mbështeten në forma gjithnjë e më të ashpra të shtypjes.
Ata mbajnë ende zgjedhje periodike, por as që pretendojnë më që këto rituale boshe dhe fasadë të jenë të “lira” apo të “ndershme. Dhe rezultati ka qenë përhapja e asaj që mund të quhet një “demokraci zombi”-pra sistemet politike dhe elektorale janë si të vdekurit e pakallur, pra të njohur si demokraci nga forma, por pa asnjë substancë.
Ngjashëm me autokratët që kanë kaluar nga menaxhimi tek demokracia zombi, po kështu duhet të evoluojnë edhe mbështetësit e të drejtave të njeriut. Ndërsa ata dikur mund ta kundërshtonin demokracinë e menaxhuar duke sulmuar teknikat e veçanta autokratike – kufizimet e shoqërisë, apo arrestimet e gazetarëve – tani duhet që ta luftojnë demokracinë zombi përmes një qasjeje më frontale, që i privon autokratët nga legjitimiteti që kërkojnë përmes zgjedhjeve farsë.
Diktaturat tradicionale nuk pretendojnë të jenë demokratike. Monarkia saudite dhe ajo e Emirateve as që shqetësohen të mbajnë zgjedhje të drejtpërdrejta kombëtare. As Partia Komuniste Kineze; dhe simotrat e saj në Kubë, Korenë e Veriut dhe Vietnam; apo qeveritë autoritare të Azisë Qendrore post-sovjetike:Kazakistani, Turkmenistani dhe Uzbekistani. Regjime të tjera autoritare, si junta ushtarake në Mianmar që ka vrarë qindra protestues dhe burgosur mijëra të tjerë që kur mori pushtetin në shkurt të këtij viti, i kanë përmbysur qeveritë e zgjedhura me votë dhe kanë hequr dorë plotësisht nga demokracia.
Por në një numër vendesh në rritje, qeveritë e kanë veshur sundimin të tyre autokratik nën“petkun” e demokracisë, duke e hequr atë vitet e fundit. Një shembull tipik është Rusia, e cila po shkon drejt statusit të një demokracie zombi, për shkak të burgosjes së përsëritur të liderit të opozitës Alexei Navalny.
Kremlini e kishte mbajtur prej kohësh nën kontroll opozitën, nëpërmjet manipulimit të opinionit publik përmes dominimit të televizionit shtetëror dhe mediave të tjera. Por Navalny ia doli të shmangë kontrollet duke prodhuar dokumentarë të shkëlqyer rreth marrëdhënieve korruptive të presidentit rus Vladimir Putin, të cilat janë parë dhjetëra miliona herë në YouTube.
Autoritetet ruse reaguan duke e burgosu Navalny. Rusia do të vazhdojë të mbajë zgjedhje, por pa pretendimin se ka përballë një opozite të mirëfilltë apo se në vend ekziston një debat publik i lirë. Shokët ideologjikë të Putinit në Bjellorusi dhe Hungari, i kanë çuar vendet e tyre drejt një rruge të ngjashme, asaj të demokracisë zombi në Evropë.
Në pushtet që nga viti 1994, presidenti bjellorus Alexander Lukashenko është mbështetur tek kufizimet ndaj mediave dhe shoqërisë civile, për të ruajtur qëndrimin në krye të vendit të tij. Kur synoi një mandat të gjashtë në detyrë në vitin 2020, ai me siguri supozoi se do të arrinte në një fitore të lehtë pasi arrestoi kandidatët kryesorë të opozitës.
Por publiku u tubua rreth Svetlana Tikhanovskaya, gruas së njërit prej politikanëve të burgosur të opozitës, duke e detyruar presidentin të përdorë manipulimet e hapura elektorale, arrestimet e shumta dhe torturat ndaj protestuesve. Më vonë, qeveria e tij ndoqi penalisht gazetarë kritikë dhe mbrojtës të të drejtave të njeriut, si dhe likuidoi dhjetëra grupime të shoqërisë civile dhe media të pavarura.
Edhe Hungaria po shkon drejt shndërrimit në një demokraci zombi. Pasi erdhi në pushtet për herë të dytë në vitin 2010, kryeministri Viktor Orban vuri nën kontroll shumicën e mediave të vendit, zëvendësoi gjyqtarët e pavarur me ata të zgjedhur prej tij, vendosi kufizime të forta për grupet e shoqërisë civile, dhe kreu një reformë zgjedhore në dobi të partisë së tij.
Por strategjia e Orban nisi të dështojë në vitin 2019, kur partia e tij i humbi zgjedhjet lokale në shumë qytete të mëdha. Tani, përballë mundësisë që partia e tij të humbasë zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm përballë një opozite të bashkuar, Orban po nxiton të garantojë që partia e tij të ketë nën kontroll shtetin pavarësisht se kush është në qeveri.
Demokracia zombi ka zënë rrënjë edhe në Amerikën Latine, më së shumti në Venezuelë dhe Nikaragua. As Lindja e Mesme dhe Afrika nuk i kanë shpëtuar dukurisë së demokracisë zombi. Kur qeveria e presidentit turk Recep Tayyip Erdogan i humbi zgjedhjet lokale në vitin 2019 përballë opozitës, Erdogan i përshkallëzoi sulmet e tij ndaj një partie pro-kurde që kishte mbështetur kandidatët e aleancës opozitare, duke shkarkuar dhe burgosur kryetarët e saj të bashkive.
Përballë rënies së mbështetjes publike, Erdogan është përpjekur të mbyllë mediat e pavarura dhe të ushtrojë kontroll mbi gjykatat. Po ashtu koalicioni i tij duket se po përgatitet të ndryshojë ligjin zgjedhor pa u konsultuar me partitë e tjera, duke ngritur shqetësime se zgjedhjet e vitit 2023 mund të manipulohen.
Udhëheqësit e demokracive zombi i kanë braktisur plotësisht qytetarët e vendeve të tyre. Në Egjipt, gjenerali i kthyer në president Abdel Fattah El-Sisi dhe junta e tij ushtarake, kanë synuar të përjashtojnë mundësinë e fitores të një partie të pavarur siç është Vëllazëria Myslimane (që në vitin 2012fitoi zgjedhjet e fundit të ndershme presidenciale), duke imponuar sundimin më shtypës në historinë moderne e vendit.
Së fundmi, Hong Kongu ka marrë gjithashtu disa nga tiparet e një demokracie zombi. Një proces zgjedhor i dha mundësi zonave pro Pekinit që të zgjedhin gjysmën e anëtarëve të Këshillit Legjislativ qeverisës. Tani të gjitha aktivitetet e opozitës janë shtypur sipas një ligji të ashpër të sigurisë kombëtare të vendosur nga Pekini.
Problemi i demokracive zombi është bërë aq i mprehtë, saqë qeverive të angazhuara për të promovuar demokracinë e vërtetë, u duhet një strategji e re. Për dekada me radhë, përgjigja standarde ndaj demokracive të menaxhuara ka qenë sulmi i mjeteve të tyre të manipulimit elektoral – censurës, kundërshtimit të kufijve ndaj shoqërisë civile apo mbrojtja e të drejtave të kandidatëve të opozitës.
Por kundërvënia ndaj një demokracie zombi kërkon një qasje më gjithëpërfshirëse. SHBA dhe demokracitë e tjera si ajo duhet të vazhdojnë ta denoncojnë censurën dhe taktikat e tjera abuzive që përdorin demokracitë zombi për t’u mbylur gojën kritikë vetë tyre.
Por ato duhet të ndalojnë ndihmën për udhëheqësit e demokracive të tilla, qoftë ajo ushtarake amerikane ndaj El-Sisit, apo edhe subvencionet financiare të Bashkimit Evropian për Orban.
Mënyra më e mirë për të minuar demokracitë zombi, është t’u tregoni qytetarëve se udhëheqësit e tyre janë indiferentë ndaj publikut të cilit ata pretendojnë se i shërbejnë. Po, autokratët mund t’u drejtohen mjeteve brutale për të qëndruar në pushtet, por kjo është një lojë e rrezikshme. Edhe diktatorët më të egër e kanë të vështirë të qëndrojnë në krye kur publiku kthehet tërësisht kundër tyre.
*Kenneth Roth, është drejtor ekzekutiv i organizatës së njohur ndërkombëtare joqeveritare “Human Rights Watch”.
Marrë me shkurtime nga Foreign Affairs