Memorie.al publikon disa dokumente arkivor të nxjerra nga fondi i ish-Komitetit Qëndror të PPSH-së që i përkasin qershorit të vitit 1955 kur u mbajt Pleniumi i XIV-të i Komitetit Qëndror i cili morri në analizë “veprimtarinë antiparti” të Tuk Jakovës dhe Bedri Spahiut, dy nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Enver Hoxhës që nga mbledhja themeluese e Partisë Komuniste në 8 nëntorin e 1941-it, që kishin mbajtur postet dhe funksionet më të larta në parti dhe qeveri, pas Enver Hoxhës. Kontraditat dhe çarja e madhe midis tyre erdhi pas një vizite që kishte bërë Tuk Jakova së bashku me Abdyl Këllezin dhe Hito Çakon në Shtëpinë Muze të themelimit të PKSH-së, ku ai ishte irrituar kur kishte parë aty foton e Spiro Kolekës, gjë për të cilën Tuku kishte biseduar me Bedri Spahiun që mbante postin e Ministrit të Arsimit e Kulturës, por ai ishte përgjigjur se muzetë nuk vareshin më nga digasteri që ai drejtonte, por nga sektori i propagandës me në krye Nexhmije Hoxhën. Pas kësaj, të gjitha ankesat që kishte bërë Tuku i shkuan në vesh Enver Hoxhës dhe në debatet që ata bënë në mbledhjet e Pleniumit, Tuku ngriti akuza të rënda ndaj Enver Hoxhës, duke e akuzuar atë se nuk ishte zgjedhur Sekretar i Përgjithshëm në mbledhjen themeluese dhe se Partinë Komuniste Shqiptare e kishin formuar jugosllavët. Fjala e panjohur e Enver Hoxhës në atë plenium ku ai ngriti një sërë akuzash të rënda ndaj Tukut dhe Bedriut, duke i quajtur ata “armiq të popullit dhe partisë” dhe në fund i përjashtoi nga të gjitha funksionet partiake dhe shtetërore që ata mbanin.
Nga Dashnor Kaloçi
Para tre ditësh në pjesën të para të intervistës me ish nënkryetarin e Gjykatës së Lartë të Republikës Popullore të Shqipërisë, kolonel Mustafa Qilimi, u njohëm me intrigat e organeve të Sigurimit të Shtetit, Hetuesisë dhe Prokurorisë, të cilat zbatonin urdhëzimet e porositë e Komitetit Qëndror të PPSH-së dhe personalisht vetë Enver Hoxhës, lidhur me procesin e bujshëm për dënimin dhe pushkatimin e gjeneral-major Dali Ndreut dhe bashkëshortes së tij, ish-anëtare e Byrosë Politike, Liri Gegës, gjë e cila provokoi edhe ndërhyrjen e Nikita Hrushovit, që akuzoi Enverin se kishte pushkatuar Lirinë edhe pse ajo ishte shtatëzanë, Ndërsa në pjesën e dytë të kësaj interviste, sipas dëshmive të z. Qilimi u njohëm me një faqje tjetër të errët të Enver Hoxhës, atë që lidhet me burgosjen dhe eliminimin që Hoxha i’u bëri, dy nga bashkëpuntorëve më të ngushtë të tij, gjeneral-major Bedri Spahiut, ish-anëtar i Byrosë Politike, sekretar i Komitetit Qëndror të PPSH-së, Prokuror i Përgjithshëm i Republikës dhe Ministër i Arsimit e Kulturës, si dhe gjeneral-leitnant, Tuk Jakovës, ish-themelues i Partisë Komuniste, anëtar i Byrosë Politike, sekretar Organizativ i PKSH-së, President i Sindikatave të Shqipërisë dhe zv/kryeministëri qeverisë së drejtuar nga Enver Hoxha. Konfliktet dhe çarja e madhe midis tyre erdhën pas vizitës që kishte bërë Tuk Jakova në Shtëpinë Muze të mbledhjes themeluese të Partisë Komuniste të Shqipërisë, ku ai u revoltua pasi aty ishte vënë fotoja e Spiro Kolekës, që nuk kishte qenë pjesmarës në atë mbledhje në 8 nëntorin e vitit 1941. Sipas dëshmive të rralla të kolonel Mustafa Qilimit, ish-nënkryetar i Gjykatës së Lartë të Republikës, pas asaj ngjarjeje në mes Enverit dhe Tukut e Bedriut, nuk kishte më “paqe”, pasi ata e akuzuan rëndë “Komandantin” në mbledhjet e Byrosë dhe Pleniumit, gjë të cilën Enveri u’a mbajti “vath në vesh” pët t’i goditur dhe u hakmarrë ndaj tyre vetëm dy tre vjet më vonë, në vitin 1955, gjë për të cilën bën fjalë ky shkrim që po botojmë sot në faqet e Memorie.al, ku siç do të shohim, Enver Hoxha ka ngritur një “mal” me akuza ndaj dy bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë.
Fjala e Enverit e mbajtur në Pleniumin e XIV-të, më 17 qershor 1955
FJALA E MBYLLJES NE PLENUMIN XIV TE KQ TE PPSH MBI “VEPRIMTARINE ANTIPARTI DHE ARMIQESORE TE TUK JAKOVES DHE TE BEDRI SPAHIUT”.
17 qershor 1955
Më lejoni, shokë, të them edhe unë disa fjalë rreth çështjeve që u diskutuan në këtë plenum lidhur me veprimtarinë antiparti dhe armiqësore të Tuk Jakovës dhe të Bedri Spahiut. Duket qartë se analiza që i bëri Byroja Politike dhe Komiteti Qëndror këtij problemi me rëndësi kaq të madhe për Partinë ka qenë plotësisht e drejtë dhe mund ta cilësojmë shpëtimtare për të. Kjo u arrit për arësye se udhëheqja e Partisë sonë është një udhëheqje marksiste-leniniste, e kalitur, e sprovuar dhe luftarake për mbrojtjen e marksizëm-leninizmit, të interesave të popullit tonë, të interesave të udhëheqjes së lavdishme popullit, Partisë së Punës të Shqiperisë, të interesave të socializmit dhe të komunizmit. Së pari, sipas mendimit tim, Plenumi i Komitetit Qëndror tregoi një pjekuri të madhe për zgjidhjen e drejtë të kësaj çështjeje.
Me diskutimet që bëri, ai qëndroi në lartësinë e duhur dhe, me mprehtësinë më të madhe e me vigjilencën revolucionare më të shëndoshë, i analizoi thellë, me hollësi dhe në bazë të fakteve veprimet antiparti e antimarksiste që kanë kryer Tuk Jakova dhe Bedri Spahiu. Kjo ishte një garanci shumë e madhe për Partinë tonë, garanci jashtëzakonisht e madhe. Ky fakt dëshmon qartë edhe një herë se Komiteti Qëndror i Partisë sonë është një mburoje e çelnikte e parimeve të leninizmit, se në Komitetin Qëndror të Partisë sonë nuk mund të kenë vend për shumë kohë oportunistët dhe armiqtë, me gjithë mjetet, format, metodat dhe maskat që ata mund të përdorin. Përpara unitetit të çelniktë të Partisë sonë, elementë si Tuk Jakova e Bedri Spahiu, nuk mund të kenë jetë të gjatë në Parti. Së dyti, Tuku, Bedriu dhe të tjerë si këta duhet të kuptojnë se uniteti i Komitetit Qëndror nuk është vetëm një formulë, por një realitet i madh.
Udhëheqja e Partisë sonë është një udhëheqje e shëndoshë, kolegjiale, leniniste-staliniane. Në Komitetin Qëndror nuk mund të zotërojë vetëm mendimi i njerit ose i shtatë vetëve, siç ka pretenduar Tuku, kur ështe marrë vendim ndaj tij, por është vullneti, mendimi e vendimi kolegjial i gjithë Komitetit Qëndror. Këtë e provon jeta, e provojnë faktet. Këtë e vërtetuan më së miri edhe punimet e këtij plenumi, ku ne praktikuam një formë tjetër, me qëllim që Tuku e Bedriu të shihnin posaçërisht se uniteti i Komitetit Qëndror, uniteti i mendimit dhe i veprimit në Komitetin Qëndror të Partisë sonë, nuk është ashtu si mendojnë këta. Forma që u përdor në këtë mbledhje të plenumit është se anëtarët e Byrosë Politike folën në fund, ndërsa ata që folën të parët, ishin anëtarët e Komitetit Qëndror, të cilët i shfaqën lirisht mendimet e tyre, ashtu sikurse kanë vepruar vazhdimisht kur e kanë marrë fjalën në udhëheqjen e Partisë sonë.
Pikëpamja që kanë pasur Tuku dhe Bedriu se në udhëheqje nuk ka unitet mendimi e kolegjialitet, ështe krejtësisht e gabuar dhe pa baza. Konkluzionet në të çilat arritën Byroja Politike dhe plenumi që diskutuan gjerësisht dhe drejt çështjen e Tukut dhe të Bedriut, nuk i tund as topi. Këto konkluzione nuk erdhën vetë, por janë rrjedhim logjik i fakteve dhe janë plotësisht me baza. Jeta dhe lufta e Partisë tregojnë se, në qoftë se ka ndonjë çështje që nuk qëndron si duhet, lufta e Partisë shumë shpejt i nxjerr në shesh të gjitha të vërtetat. Konkluzionet në të çilat ka arritur Plenumi i Komitetit Qëndror i Partisë sonë janë këto: Tuku dhe Bedriu nuk mund të ndahen nga njëri tjetri sepse ata kanë qëllime të njëjta. Konkluzioni i cili bazohet në analizën e Byrosë Politike, është se këta të dy, me veprimtarinë e tyre, kanë dashur ta likuidojnë Partinë tonë të Punës, Partinë tonë marksiste-leniniste dhe në vend të saj të ishte një parti social-demokrate, antimarksiste, me tendenca fashiste.
Pra, qëllimi i këtyre të dyve ishte një: ta likuidonin Partinë tonë marksiste-leniniste dhe ta zëvendësonin atë me një parti tjetër borgjeze, ashtu siç bëri më përpara Titua me udhëheqjen e tij. Natyrisht, për të likuiduar Partinë, më parë duhet të likuidohet udhëheqja ekzistuese marksiste-leniniste dhe udhëheqja e Partisë të jetë në duart e tyre. Këto janë veprime të egra të armiqve dhe kur flasim kështu kemi parasysh trockistët dhe të gjithë armiqtë e tjerë të Partisë. Këtu nuk është çështja me likuidue një, dy ose katër nga shokët e udhëheqjes, por me likuidue të tërë udhëheqjen marksiste-leniniste të Partisë sonë, domethënë me likuidue gjithë ketë udhëheqje e mbron marksizem-leninizmin, parimet e Partisë sonë, pra me likuidue atë që mbron interesat e popullit shqiptar, të socializmit dhe të komunizmit në vendin tonë. Ky ishte qëllimi i tyre. Për të arritur këtë qëllim, natyrisht, armiku u bie njerëzve: një këtu, një atje, që t’i eliminojë këta një nga një, dhe pastaj t’i zëvëndësojë me njerëz të tjerë, të huaj për marksizëm-leninizmin që do ta çonin Partinë dhe popullin tonë në prehërin e imperializmit.
Pikat duhet t’i vëmë mirë mbi i, edhe për arsyen sepse Tuku e Bedriu në tërë veprimtarinë e tyre, gjë që do ta shpjegoj edhe më poshtë, janë vënë në kundërshtim me vijën marksiste-leniniste të Partisë sonë. Ata nuk mund të pajtoheshin me këtë vijë. Fjalëve të tyre jo thashë kështu, jo thashë ashtu, nuk është nevoja t’u hyjmë prapë ne hollësi, se janë të qarta. Tani mendoj të përqëndrohem në disa konkluzione përgjithësuese për të parë se përse këta njerëz arritën deri këtu. Ata arritën deri këtu sepse nuk janë marksiste-leniniste dhe Bedriu jo vetëm që s’është i tillë, por ai është edhe armik i Partisë dhe i popullit, fajet e tij janë shumë më të rënda. Tuku e Bedriu nuk kanë qenë kurrë marksiste-leniniste. Cilët janë dhe si veprojnë ata që nuk janë marksiste, por hiqien si të tillë? Nga vetë eksperienca e Partisë sonë, nga eksperienca e madhe e Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe e lëvizjes komuniste ndërkombëtare të proletariatit, ne dimë metodat, format, formulat dhe aktivitetin e të gjithë njerëzve pseudomarksiste të Internacionales II dhe të trockistëve, që erdhën si bishtra dhe bashkëveprues të Internacionales II.
Çështja që ngriti Tuku mbi grupet e vjetra komuniste, nuk është diçka e thjeshtë. Qëllimi i Tukut nuk ishte vetëm për të ngritur veten e tij, por të ritheksonte edhe anët e dobëta të këtyre grupeve, të cilat, siç dimë, të gjithë kanë qenë pikepamje koke e këmbë të gjalla antimarksiste, domethënë kanë qenë pikëpamje për të luftuar çdo gjë që çonte në formimin e Partisë, në mbrojtjen e komunizmit, në çlirimin e atdheut. Shumë njerëz të grupeve, njeri nga këta është edhe Bedriu, që na del më i egër (do ta shpjegoj më vonë pse) si dhe Tuku, nuk janë spastruar nga pikëpamjet antimarksiste të këtyre grupeve. Jeta e Partisë, lufta e saj, i shkatërroi denjësisht pikëpamjet antimarksiste të grupeve, por këto pikëpamje kanë ekzistuar janë ruajtur vazhdimisht te Tuku e Bedriu. Çfarë pikëpamje antimarksiste të grupeve duhet të përmendim ne me këtë rast? Grupet nuk kishin besim të proletariati, pra ishin kundër diktaturës së proletariatit. Mbani mend teorinë e Anastas Lulos në grupin të cilit ka milituar edhe pas formimit të Partisë shoku Bedri. Grupi ku militonte Bedriu ka qenë për okupimin e Shqipërisë nga Italia. Krerët e këtij grupi thoshin se: ky okupim do t’i bëjë shumë mirë Shqipërisë, sepse do të bejë e të ngrihen fabrika dhe do të krijohet proletariati, pastaj shohim e bëjmë.
Domethënë të kemi proletariat një herë, pa të tjerat pastaj i shohim, pikëpamje këto që janë antimarksiste, trockiste. Këto pikëpamje të Bedriu i shohim në faktin që ai pranon të bëhet anëtar i Partisë Fashiste, dhe me këtë ai pranoi okupacionin e Shqipërisë. Këtë fakt asnjëri nuk mund ta mohojë. Bedriu ishte i mendimit se duhej të futeshin në Partinë Fashiste dhe ashtu bëri duke pretenduar se atje do të grumbulloheshin njerëzit dhe me ta do të bënin punë. Këto pikëpamje antimarksiste Bedriu i ka zbatuar në jetë. Bedriu u fut në Partinë Fashiste, siç duket jo me qëllim që të maskohej. Tani po del qartë se ai në të gjente pika takimi nga ana ideologjike. Pikëpamje e veprime të tjera antimarksiste kishte në grup? Në grup ishte ngritur në teori edhe çështja e banditizmit. Fakte për Bedrinë nuk kemi që të ketë marrë pjesë në vjedhje ose të ketë bërë veprime imorale etj. Këtë nuk e themi, por akti i sotëm i Bedriut, duke mbajtur një qëndrim tepër arrogant ndaj plenumit, për mua është një akt fashist, ndryshe nuk ka si të shpjegohet!
Domethënë ideologjikisht Bedriu është në rrugë fashiste dhe kjo që bën sot është një akt banditizmi. Edhe një patriot, pa qenë marksist, dhe të tillë ka me qindra dhe mijëra në vendin tonë, nuk mund të sillet ashtu si u suall sot përpara Komitetit Qëndror Bedriu, të cilin Partia e ka zgjedhur deri në udhëheqjen me të lartë të saj. Ai, pra, nuk pati asnjë respekt për Partinë. Ai mbajti një qëndrim të poshtër, sepse pikëpamjet e tija janë fashiste. Çështjet që kërkon të ngrejë Bedriu këtu, nuk mund ta gënjejnë Komitetin Qëndror, as nuk mund të prekin zemrat e shokëve nga fjalët e tija që tha se nuk kam qenë i varfër, nuk jam rritur në mizerje etj. Ç’tregon e verteta? Në jetë ka ndodhur që mund të jesh i varfër dhe ta tradhëtosh popullin dhe Partinë. Faktet vërtetojnë se si ke luftuar ti dhe si i ke mbrojtur Partinë dhe popullin. Pikëpamjet nacionaliste-borgjeze të Bedri Spahiut, Byroja Politike nuk i thotë kot; këto ajo i ka të bazuara. Përveç atyre që u thane, çështja është se të gjitha këto veprime të Bedriut puqen me ideologjinë e klerit bektashian.
Pas tërë këtyre pikëpamjeve e veprimeve antimarksiste, nuk mund të gëlltitet më ajo që ka thënë vazhdimisht Bedriu se “unë u bëra myhib për arësye taktike”. Kjo nuk është çështje taktike e Bedriut, por një çështje ideologjike. Në kokën e tij ekzistojnë pikëpamje idealiste, që pajtohen plotësisht me pikëpamjet reaksionare të klerit. Bedriu në kokën e tij ruan pikëpamje idealiste, që s’kanë asgjë të përbashkët me marksizmin. Le të marrim çështjen që Bedriu e quan përsëri si një qëndrim taktik. Ai ka kërkuar për të studjuar libra të shoqërive të ashtuquajtura fetare amerikane e angleze, por që s’janë tjetër veçse shoqëri agjenturale. Ç’shtë ky njeri, e na hiqet si marksist dhe në kohë aq të vështira për popullin e komunistët, orvatet për të studjuar libra. Kjo ndodh se Bedriun e tërheqin këto ide fetare, idealiste. Po a luftoi Bedriu? Po, luftoi, ashtu si luftoi. Po pse luftoi, kur kishte të gjitha këto gjëra në kokë? Në Luftën naçional-çlirimtare mori pjesë i gjithë populli, pse momenti ishte çlirimi i vëndit. Kështu edhe Bedriu, i shtyrë nga ky moment u hodh në luftë. Edhe Tuku mori armën dhe luftoi, por me gjithë pjesëmarrjen në luftë këto pikëpamje nuk ndryshuan te keta njerëz.
Në fakt Bedriu edhe pse mori pjesë në luftë, që nga fillimi i saj, ka qenë kundër vijës së Partisë, kundër udhëheqjes së zgjedhur nga Partia. Këto gjëra ne i dimë nga analizat që janë bërë dhe që shoku Haki Toska me plot të drejtë i vuri shumë mirë në dukje. Këto tregojnë se gjatë gjithë periudhës se luftës, Bedriu nuk ka qenë dakord me Komitetin Qëndror dhe më vijën e drejtë marksiste-leniniste të Partisë. Po të analizojmë qëndrimet e Bedriut edhe gjatë luftës ndaj fshatarësisë, çfarë konkluzione teorike duhet të nxjerrim? Ne mund të nxjerrim se ai nuk ka qenë për fshatarësinë e varfër, por për agallarët. Komiteti Qëndror e ka kritikuar Bedrinë për veprimet e tij në Gjirokastër, në lidhje me fshatarësinë. Kjo ilustron faktin se Bedriu nuk ka qenë kurrë marksist. Ai, siç e theksuam, nuk ka qenë dhe nuk është as me proletariatin, duke mos pasur besim në atë, dhe si rrjedhim nuk ishte as dhe për aleancën e proletariatit me fshataresinë. Kjo duket e paimagjinueshme, por kështu del, po të analizojmë faktet, dhe erdhi koha që ta bëjmë një analizë të tillë. Bedriu, pikëpamjet antimarksiste-leniniste i shfaq edhe më vonë, në periudhën pas çlirimit. Ato mbeten vazhdë në tërë veprimtarinë e tij. Pse themi që këto gjëra nuk janë të rastit? Faktet tregojnë se pikëpamjet e Bedriut puqen edhe me pikëpamjet e Sejfulla Malëshovës. Po pse u puq Bedriu me to, ç’influence ka pasur Sejfullau te Bedriu? Puna është që të dy këta janë në një rrugë, në rrugën kundër vijës së Partisë. Sejfullau hidhet më përpara kundër Partisë, por kjo nuk do të thotë se Bedriu nuk është në një rrugë me të, ai ka qenë që më përpara në atë rrugë, prandaj vajti dhe ju mbështet Sejfullaut dhe Ymer Dishnicës.
Kur u godit Sejfullau, Bedriu me Tukun thanë të tërhiqemi nga Byroja Politike, sepse, duke mos qenë dakord me vijën e Partisë, i trembeshin Partisë, nuk mund të rronin me një udhëheqje të tillë që mbronte marksizëm-leninizmin, prandaj kërkuan të tërhiqen. Ku është pare që një marksist të tërhiqet nga detyra që i ka vënë Partia? Bedriu ngrihet dhe me mburrjë thotë që nuk më ka hequr Byroja Politike, por kam kërkuar të hiqem vetë, pasi kam qenë anëtar i Partisë Fashiste, sikur Partia nuk dinte këtë gjë. Partia këtë gjë e dinte dhe pat menduar se që një gje e rastit, e imponuar, por jeta dhe aktet e Bedriut tregojnë se ai nuk ishte për në Komitetin Qëndror, prandaj kërkoi që të tërhiqej si anëtar i tij. Kjo nuk piu ujë atëhere kur u likuidua oportunizmi i Sejfulla Malëshovës dhe Bedriu vuajti shumë. Në kohën që do të bëhej Kongresi II i Partisë, Bedriu mendoi se ishte rasti që të kërkonte të largohej nga Byroja Politike. Vetëm një antimarksist mund ta bëjë një veprim të ti11ë.
Edhe Tuku ka gabuar shumë rëndë, por të paktën ai thotë se do të bëj të gjitha përpjekjet që të ndreqem, atje ku do të më dërgojë Partia. Qëndrimi i egër i Bedriut para Plenumit të Komitetit Qendror, është një demostracion tjetër fashist, me të çilin ai vërteton se duhet të hidhet jashtë nga udhëheqja. Pa dyshim që edhe mendimi im është që Bedriu të përjashtohet, jo vetëm nga udhëheqja por edhe nga Partia. Këtë e ka menduar edhe ai me qëllim që të shpëtojë një herë e mirë nga vuajtjet që po kalon prej kaq vjetësh! Dhe në fakt, Bedriu, vuan se ai ndodhet pa dashje, pa vullnetin e tij në një parti marksiste-leniniste duke qenë antimarksistleninist dhe kundër marksizëm-leninizmit. Edhe veprimet e tij, po t’i marrësh të shkëputura, dalin në këtë rrugë; të gjitha këto janë në kundërshtim me Partinë, veprime më krijue pengesa që vija e Partisë të mos zbatohet si duhet, që ndërtimi i soçializmit në vendin tonë të mos ecë përpara me vrull. Në këtë rrugü Bedriu patjetër nuk do të vinte brirë dhe të thoshte ja ku i kam. Në, këto veprime të Bedriut nuk na kanë kaluar pa i vënë në dukje dhe pa i kritikuar. Por tani është koha që t’i analizojmë thellë ato, se nuk janë të shkëputura, por janë veprime sistematike kundër Partisë, kundër vijës së saj të drejtë.
Bedriu kërkon të fshehë këmbët si gjarpëri, ai mundohet të mos thotë asnjë fjalë për pikëpamjet e tija të nacionalizmit borgjez. Budalla ai nuk është, se po i pranoi këto, dalin në shesh të gjitha veprimet e tij. Merreni me mënd: ai pranoi të quhet më mirë antimarksist, vetëm të mos pohojë asgjë mbi nacionalizmin borgjez të tij. Pastaj, Bedriu me pikëpamje të tilla si mund të mos puqej me Tukun? Medoemos ai do të puqhej me çfarëdo rrymë që të ishte, qoftë kjo e trockizmit jugosllav, e atij italian e x ose y, me çdo maskë antimarksiste që të shfaqej ajo, vetëm t’i binte me vare udhëheqjes së Partisë. Dhe është fakt, e Bedriu punoi për të dobësuar udhëheqjen, pavarësisht se ai ka gjykuar Koçi Xoxen etj. Por, imperializmi, Titua etj., ja falin Bedriut gabimet kundrejt këtyre, sepse ai punoi kundër Partisë dhe popullit, duke goditur udhëheqjen e tyre marksiste-leniniste. Pastaj se ç’do të bëjnë Titua dhe agjentura imperialiste me Bedrinë, kjo është një gjë tjetër. Ne dimë se në gjirin e borgjezisë ka kontradikta, por tani ata shohin vijën kryesore, qëllimin strategjik të saj, që është zhdukja e komunizmit dhe e partive komuniste, pastaj nesër i rregullojnë punët midis tyre.
Të vijmë përsëri në grupin e Shkodrës. Tuku prapë nuk është spastruar nga pikëpamjet e gabuara të këtij grupi. Interesimin kaq të madh të Tukut për artizanatin duhet ta shpjegojmë edhe teorikisht. Pse Tuku është më shumë i interesuar për artizanët, se sa për klasën punëtore dhe për zhvillimin e bujqësisë? Sepse në parim Tuku ka akoma pikëpamje trockiste, deviatore, oportuniste, të cilat që të gjitha janë antimarksiste. Ai mbështetet kryesisht te artizanët, te borgjezia e vogël dhe jo te klasa punëtore dhe aleanca e saj me fshatarësinë. Fakte mund të sjellim sa të duash, por kjo tanimë është e gartë. Edhe çështja e influencës së klerit katolik nuk është zhdukur te Tuku. Ai duhet të bëjë një luftë shumë më të madhe kundër këtyre shfaqjeve. Këtu nuk është puna te letra e priftit, për të i gjithë helmi që përhapin në popull kisha, dervishët, hoxhallarët dhe priftërinjtë. Përse e bëjnë ata këtë gjë? Qëllimi kryesor i tyre është lufta kundër komunizmit dhe konkretisht në rastin tonë kundër Partisë sonë marksiste-leniniste. Po të analizosh këto, shumë gjëra dalin fare të qarta. Tuku edhe në këtë drejtim është një marksist jashtëzakonisht i dobët. Tuku ka luftuar. Këtë nuk ja mohojmë. Po lufta që ka bërë ai nuk e ka ndihmuar që të zhvishet nga kjo ideologji armiqësore borgjeze.
Tuku nuk mund të ishte me gjithë zemër me udhëheqjen e Partisë dhe me vijën e saj, pasi pikëpamjet e tija mikroborgjeze, oportuniste, e kanë mbërthyer dhe nuk e lëshojnë. Ka vepruar ose jo në mënyrë të organizuar Tuku, kjo nuk ka shumë rëndësi për ta shpjeguar çështjen. Partia duhet ta shohë mirë, thellë dhe deri në fund këtë çështje se po të ketë qenë një punë e organizuar puna e Tukut është akoma më e rrezikshme. Por për të shpjeguar çeshtjen, Tuku medoemos duhet t’i ketë menduar këto gjëra se pikëpamjet e tija janë të tilla që nuk e lëne të mendojë ndryshe. Këto janë çështje ideologjike dhe nuk janë në rrugën e Partisë sonë. Pra del se pikëpamjet antimarksiste e antiparti e kanë çuar Tukun në këtë rrugë që i shkakton Partisë dëme, ndërsa Bedriun e kanë çuar edhe më tej. Ai tani nuk është më në pozita armiqësore, por është armik i Partisë. Po ta shikojmë në këtë prizëm, kështu e natyrshme dhe nuk duhet të çuditemi pse këta shokë dalin në këtë rrugë.
Momentet që kalojnë dhe veçanërisht me këto pikëpamje, Tuku don të dalë në rrugën e titizmit. Titistët, Titua dhe shokët e tij, kanë devijuar nga rruga marksiste-leniniste, ata e kanë tradhëtuar marksizëm-leninizmin. Kjo qëndron dhe do të qëndrojë e palëvizur. Kjo nuk ka si zhduket. Ajo do të zhduket vetëm në rast se këta njerëz japin prova, në rast se luftojnë dhe i japin prova konkrete popullit jugosllav dhe lëvizjes komuniste e punëtore ndërkombëtare që me të vërtetë i korrigjuan gabimet e tyre përsa i përket marksizëm-leninizmit. Por deri tani ata nuk kanë bërë asnjë nga këto. Këto prova për Partinë tonë janë gjëja kryesore. Ato do të tregojnë nëse edhe Tuku e Bedriu do të korrigjohen apo jo. Ne nuk mund të lejojmë, ashtu si do të donte Tuku e Bedriu, të qëndrojnë në Parti duke ruajtur pikëpamjet e tyre e të kundërta me Partinë, d.m.th. të rrojmë tok të dy palët. Në këtë mënyrë ne nuk mund të rrojmë tok. Përsa i përket qëndrimit të titistëve ndaj vëndit tonë, të gjitha ato që kemi thënë qëndrojnë, nuk lëvizin, sepse puna dhe veprimet e tyre janë antimarksiste. Një klikë që ka kaluar në nacionalizëm borgjez, që kërkon të shkatërrojë partinë e vet, marksizëm-leninizmin, një klike që është kundër Leninit dhe Stalinit, një klike që kërkon të të gllabëroje, një klike e që është në pozita antimarksiste. Por kjo nuk na ndalon ne të kemi marrëdhënie të mira miqësie e fqinjësie me popujt e Jugosllavisë, të kemi rnarrëdhënie tregëtare e shtetërore.
Unë mendoj se Tuku duhet të thellohet akoma më shumë. Edhe unë jam që Tuku të përjashtohet nga Komiteti Qëndror, ashtu siç është dakord i gjithë plenumi, por të qëndrojë në Parti. Vetëm propozoj edhe një masë tjetër, që për një kohë të pacaktuar të mos ketë asnjë vënd drejtues në Parti. Tuku të mos pandehë se qëndrimin e tij në Parti e bëjmë për oportunitet. Atë e mbajmë në Parti se Komiteti Qëndror kërkon edhe një herë t’i japë dorën Tuk Jakovës me gjithë këto gabime kaq të rënda që ka bërë, sepse Komiteti Qëndror ka një fije shpresë që ai mund të përmirësohet. Por të mos mendojë Tuku se tani ne kemi besim të plotë se ai do t’i ndreqë gabimet, pasi është hera e dytë që bën të tilla gabime, këtë radhë bile edhe më të rënda se të parat. Por Partia do ta ndihmojë atë, por duhet që ai të ndihmojë veten më parë që të mund të meritojë këtë dorë që i jep Partia. Tuku e ka më shumë Bedriu të kuptojnë mirë se Partia nuk i persekuton njerëzit, në asnjë mënyrë. Përkundrazi, Komiteti Qëndror pranon që organizatat bazë ta kritikojnë e t’i thonë: “Si po e mbani në Parti Tuk Jakovën pas gjithë këtyre gabimeve të rënda që ka bërë” dhe Komiteti Qëndror do t’u përgjigjet: T’i japim Tukut edhe një herë dorën, t’i japim edhe një herë një ndihmë të vogël, por Tuku duhet të japë prova.
Komiteti Qëndror masën që merr duke e lënë Tukun në Parti e bën me ndërgjegje të plotë, sepse Komiteti Qëndror është udhëheqja e një Partie marksiste-leniniste. Së pari, Bedriut, pastaj edhe Tukut, të mos u shkoje mëndja se Partia këtë gjë e bën se mos pakësohet influenca e saj në Shkodër ose në Gjirokastër. Në rast se ka njerëz e mendojnë se komunistët dhe populli i Gjirokastrës ose i Shkodrës, e duan Partinë për sytë e bukur të Bedriut, të Tukut ose të ndonjë tjetri, ata gabojnë. Populli e do Partinë se ajo e shpëtoi nga okupatorët, i dha lirinë dhe pushtetin në dorë dhe tani po e çon në soçializëm. Populli i do njerëzit që e duan Partinë dhe, përkundrazi, i urren ata që janë kundër Partisë, e cila është gjëja më e shtrenjtë për popullin. Ata të jenë të bindur se populli Partia do ta brohorasin këtë vendim se është plotësisht i drejte. Populli dhe Partia do të thonë: jashtë Partisë gjarpërinjtë. Në Parti dhe në popull, duhet të jesh i hapët dhe të mos bësh dredhira e të tilla gjëra të kësaj natyre, siç bën Bedriu. Prandaj këtë gjë duhet ta kenë mirë parasysh Tuku e Bedriu, sepse Partia nuk trëmbet nga elementët e sëmurë, qofshin brënda ose jashtë saj. Bindja e Partisë është e tillë që një ose pesë njerëz nuk e tronditin e as e çënojnë prestigjin e madh të Partisë në popull.
Përsa i përket Bedriut unë jam i vendosur qind për qind me ato që thashë dhe mendimin tim plenumi ta marrë në diskutim, domethëne që Bedriu të përjashtohet jo vetëm nga Komiteti Qëndror, por edhe nga Partia dhe të këshillohet që të vërë mënd se kjo rrugë e çon shumë-shumë larg. Tani, ashtu si thamë, atje ku do t’i caktojë Partia, këta duhet të punojnë me ndërgjegje të plotë, të ‘bëjnë shkollën nga fillimi. Megalomaninä dhe gjithë ato veset e tjera që janë shumë të këqia, t’i luftojnë me ashpërsinë me të madhe, se vetëm këtu qëndron shpresa e rehabilitimit të tyre. Kështu ata do të mund të futen në binarët e Partisë dhe të marksizëm-leninizmit, sepse tani nuk janë, sidomos Bedriu është fare jashtë këtyre binarëve. Tani nuk kemi pse të zgjatemi më tepër. Këto që thamë t’i hedhin në votë një e nga një. Kush është që Tuku të përjashtohet nga Komiteti Qëndror dhe nga funksionet e sotme shtetërore, por të qëndrojë anëtar partie dhe për një kohë të pacaktuar të mos ketë asnjë post drejtues në Parti?
Kush është dakord që Bedriu të përjashtohet nga Komiteti Qëndror, nga Partia si dhe nga funksionet e sotme shtetërore?