Rezultatet ende jo përfundimtare të zgjedhjeve paraprake në katër shtete amerikane tregojnë se disa prej përfaqësuesve kryesore të Partisë Demokrate mund t’i humbasin vendet e tyre në Kongres. Ish-drejtori i shkollës së mesme Jamaal Bowman, i cili nuk ka kandiduar kurrë më parë për një post publik, ka një epërsi ndaj ligjnënësit Eliot Engel përkatësish 61 për qind me 36 për qind që ka kryetari i Komisionit të Jashtëm të Dhomës së Përfaqësuesve.
Humbja e këtij të fundit do t`i hapë sipas Politicos rrugën një përplasjeje të fortë për kryesinë e këtij komisioni. Edhe republikania Carolyn Maloney, që drejton Komisionin e Mbikëqyrjes dhe Reformës, është mbërthyer në një betejë të ashpër me sfiduesin demokrat Suraj Patel; ajo garë nuk ka ende një fitues të qartë por duket se Maloney ruan një avantazh të vogël me mijëra fletëvotime të dërguara me postë që ende po numërohen.
Shkak për këtë situatë është bërë koronavirusi që detyroi një numër zgjedhësish t`i dërgojnë përmes postës votat e tyre. Bowman, i cili po sfidon Engelin, tashmë ka deklaruar fitoren por kampi I kongresmenit pro-shqiptar ende nuk e ka pranuar humbjen, pavarësisht epërsisë së kundërshtarit.
“Ka ende shumë vota me postë që presin numërimin, kështu që rezultati përfundimtar I këtyre zgjedhjeve paraprake do të dojë dhe ca kohë që të mësohet”, thanë burime nga fushata e tij. Elliot Engel e ka përfaqësuar Nju Jorkun për 16 mandate.