Tre persona janë arrestuar sëfundmi në Angli, për llogari të drejtësisë shqiptare dhe asaj italiane.
Mediat britanike bëjnë me dije se në pranga janë vënë Edmond Arra 34 vjeç, i cili ishte shpallur në kërkim nga drejtësia italiane për zjarrvënie, dëmtime kriminale, armëmbajtje pa leje, grabitje, dhe goditje personi.
Po nga të njëjtat autoritete ishte shpallur në kërkim edhe Besnik Zekthi 42 vjeç, i arrestuar po në Britani.
Zekthi akuzohet nga drejtësia italiane si pjesë e një grupi të organizuar kriminal i përfshirë në trafikun e drogës.
Ndërsa autoritetet shqiptare kishin shpallur në kërkim Dorjan Meshi 36 vjeç. Ai akuzohet për falsifikim të dokumenteve, pasi në datën14 shkurt 2020 në aeroportin Nënë Tereza kishte me vete një dokument ID ceke me numër 20692030 në emrin e Daniel Pelcek, për të cilën kishte dijeni se ishte e falsifikuar.
Disa ditë më parë gazeta Daily Mail i kushtoi një artikull të gjatë shqiptarëve të cilët janë të kërkuar në Europë apo Shqipëri dhe zgjedhin Britaninë e Madhe si vend-fshehje. Sipas të dhënave publikuar në këtë artikull zbulohet se në periudhën Janar-Korrik 2024 janë arrestuar me qëllim ekstradimi 30 shtetas shqiptarë të cilët kishin shkuar në Angli për tu fshehur./vizionplus.tv