Drejtoresha ekzekutive e EMA-s, Emer Cooke duke folur në Parlamentin Europian tha se planet e emergjencës janë gati për t’u përballur me variantin Omicron.
“Jemi përgatitur për më të keqen edhe pse shpresojmë për më të mirën”, u shpreh drejtoresha e rregullatorit të Bashkimit Europian, duke paralajmëruar aprovimin e një vaksine të re anti-covid të modifikuar për të luftuar Omicron.
“Ne mund të jemi në një situatë të tillë që, nëse nevojitet ndryshimi i vaksinave ekzistuese, ne mund t’i aprovojmë ato brenda 3 apo 4 muajve. Kjo periudhë nis që prej fillimit të ndryshimeve. Por së pari, duhet të merret një vendim nëse kjo është e nevojshme”, u shpreh Emer Cooke.
Drejtoresha e EMA-s tha se duhet të bëhet më shumë për të rritur nivelin e vaksinimit në disa vende anëtare të BE-së, dhe foli për një ndryshim në metodat e luftimit të pandemisë.
“Është e rëndësishme të theksoj se ne jemi të përgatitur. E dimë që viruset pësojnë mutacione dhe e dimë që në një fazë do të ketë mutacion, gjë e cila do të thotë se ne duhet të ndryshojmë qasjen aktuale”.
Pavarësisht planeve gati të emergjencës, drejtoresha e rregullatorit të BE-së konfirmoi se vaksinat aktuale janë të efektshme dhe mbrojnë qytetarët ndaj Covid-19.