Regjisori Edmond Budina ka folur sot për përplasjet në Teatrin Kombëtar mëngjesin e së dielës, ku edhe u realizua shembja e teatrit.
I ftuar në Abc e Mëngjesit, Budina u shpreh se qytetarët duhet të reagojnë, pasi shembja e Teatrit është realizuar në kundërshtim të çdo ligji.
“Jemi akoma popull i mbetur mbrapa, duhet të kujtomë se çdo njeri ka të drejtë të protestojë të thotë mendimin e tij.
Tani unë pa dyshimin më të vogël them se jemi në diktaturë. Punonjësit e policisë mu dukën si ato fashistët që sulmojnë në mënyrë të pabesë.
Këta po shkatërrojnë pasuritë e vendit. Prepotenca e këtyre pushtetarëve ka një gërshetim shumë të fortë pushte-mafia. Por e gjitha kjo histori nuk varet vetëm nga ne”, tha Budina.
Sa i përket protestës së sotme ai u shpreh se gjatë gjithë kësaj kohë insistimi i atyre njerëzve ka treguar që ja vlen të rezistosh, edhe pse numrat kanë rëndësinë e tyre.
“Ne kemi sjellë një mendësi të re, por këtej e tutje duhet një bashkë-pjesëmarrje e intelektualëve shqiptare, duhet ta marrin ata në dorë.
Të vijnë të hartojnë një platformë kombëtare, të ruajmë dinjitetin tonë kombëtar që të mos e copëtojmë vendin tonë”, u shpreh ai.
Në esencën e saj lëvizja ka qenë shumë e pastër. Kjo frymë pastërtie e kësaj lëvizjeje duhet të transmetohet tek ata që do të vijën më pas.
“Shqiptarët nuk duhet të durojnë të mbyten nga betoni, zëri i shqiptarëve duhet të ndjehet.
Ngrihuni, revoltohuni, bëni një mosbindje civile. Secili të bëjë pjesën tij. Kjo gjë mund ta shpëtojë Shqipërinë”, tha më tej Budina.