Barron Trump, djali i presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka qenë i infektuar me koronavirus, bëri të ditur nëna e tij – Zonja e Parë – Melania Trump. Lajmi vjen më pak se dy javë pasi presidenti dhe gruaja e tij kanë konfirmuar se kanë virusin.
Në një deklaratë në Twitter, zonja Trump tha se Barron ka dalë pozitiv pas testimit të përsëritur. “Për fat të mirë, ai është një adoleshent i fortë dhe nuk ka shfaqur asnjë simptomë”, tha Trump, për të shtuar se Barron tani është negativ.
Zonja e Parë ndau në Twitter përvojën e saj me koronavirus dhe tha se ka qenë me fat pasi ka pasur “simptoma minimale”.
“Shërimi nga një sëmundje ju jep shumë kohë për të reflektuar”, tha Melania Trump, duke iu bërë thirrje njerëzve që “të vazhdojnë të jetojnë jetën më të shëndetshme të mundshme”. Ekipi mjekësor i Shtëpisë së Bardhë ka konfirmuar ditë më parë se edhe presidenti Trump është shëruar nga koronavirusi./ rel