Megjithatë, është një tregim suksesi që është lënë pas dhe bwhet fjalw pwr Vietnamin. Shteti me 97 milionë banorë nuk ka regjistruar asnjë të vdekur nga koronavirusi ndërsa deri më tani ka vetëm 328 të infektuar, pavarësisht se kufizohet me epiqendrën e përhapjes fillestare, Kinën.
Rezultati bëhet më i çuditshëm kur merret parasysh fakti se Vietnami ka miliona vizitorë kinezë dhe popullsia e tij ka të ardhura të ulëta. Për më tepër, vendi nuk ka sistem shëndetësor të avancuar. Ai i ka vetëm tetë mjekë për 10 mijë banorë.
Pas një izolimi trejavor, Vietnami i largoi masat për distancim fizik në fund të prillit. Bizneset dhe shkollat janë rihapur dhe jeta gradualisht po i kthehet gjendjes normale, shkruan “CNN”.
Skeptikët mund të mendojnë se këta numra janë shumë të mirë për të qenë të vërtetë, por Guy Thwaites, infektolog që punon në njërin prej spitaleve kryesore për koronavirus në Vietnam, thotë se shifrat përputhen me realitetin në terren.
“Unë shkoj në repart çdo ditë, i njoh rastet, e di që nuk ka vdekje”, tha Thwaites. “Nëse do të kishte raste të pakontrolluara apo të paraportuara, do t’i shihnim ato në spitale, njerëzit do të vinin me infeksione në gjoks që ndoshta nuk janë diagnostikuar. Kjo kurrë nuk ka ndodhur”, shtoi ai.