Një sulm raketor rus në Odesa vrau dy persona dhe dëmtoi infrastrukturën portuale, tha sot Oleh Kiper, guvernatori i kësaj province jugore të Ukrainës.
Sulmi dëmtoi depo, kamionë dhe një anije, shpjegoi Kiper, teksa një person u plagos.
Më herët, Forcat Ajrore të Ukrainës kishin njoftuar se Rusia ka lëshuar pesë raketa dhe 20 dronë kundër Odesës gjatë natës.
Mbrojtja ajrore e Ukrainës rrëzoi 14 nga 20 dronët.
Në të njëjtën kohë, kompania ukrainase e menaxhimit të rrjetit elektrik Ukrenergo njoftoi se infrastruktura e saj energjetike në provincën Rivne u dëmtua nga një sulm me dron rus.
Sipas guvernatorit të provincës Oleksandr Koval , zjarri që shpërtheu është vënë nën kontroll, ndërsa nuk raportohet për viktima.
Për shkak të sulmit, në zonë u shkaktuan ndërprerje të përkohshme të energjisë elektrike, sqaroi Ukrenergo.