Kush takon presidentin Vladimir Putin, duhet të hyjë më parë në një tunel të posacëm ku ndodhen disa dushe që lëshojnë pikla të vogla dezinfektuesish.
Kjo është zgjidhja e gjetur për shefin e Kremlinit në mënyrë që ai të mbrohet sa më mirë prej koronavirusit. Nëse dikush duhet të flasë me të, duhet të shkojë në rezidencën zyrtare të presidentit në rrethinat e Moskës, në Novo-Ogaryovo ku kalimi nëpër këtë tunel, është i detyrueshëm. Reja e dezinfektuesve i bie vizitorëve në lëkurë dhe në rroba.
Në muajin prill, zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov ishte shprehur se kushdo që kërkonte të takohej personalisht me Putinin, duhet t`i nënshtrohej testit të koronavirusit.
Në maj ndërkohë, zëdhënësi kishte zbuluar edhe vetë se ishte infektuar. Rusia, me mbi 550 mijë raste, është vendi i tretë në botë për nga numri i infektimeve pas Brazilit dhe Shteteve të Bashkuara. Moska pretendon megjithatë se këto shifra të larta i detyrohen programit të saj të testimeve masive të popullatës. Bilanci i vdekjeve aktualisht shënon rreth 7.500.