Nga Alfred Peza
Loja e Presidentit të Republikës me 14 pikat e Platformës së Integrimit Europian, duket të jetë tashmë modeli më përfaqësues i keqpërdorimit të kauzave qytetare, për hallet e vërteta të elitës politike. Kjo javë që po mbyllet, ishte edhe pasqyra më e mirë, për ta parë këtë. E bashkë me të, edhe të gjitha kauzat e tjera që udhëheqësit politikë opozitarë i kanë zhbërë ndër vite, në funksion vetëm e vetëm të përmbushjes së qëllimeve të tyre politike.
Loja e fundit që u zhbë publikisht gjatë këtyre ditëve, është luajtur në dy plane: Në planin publik ajo po vijonte me qëllimin që të kulmonte si një protestë e madhe mbarëpopullore, për mbrojtjen e godinës së Teatrit Kombëtar në Tiranë. Ndaj po i jepej zë, jehonë, hapësira dhe vëmendje gjithnjë e më të shtuar nga mediat dhe propaganda opozitare, aktivitetit të Aleancës për Mbrojtjen e saj dhe personazheve të tjerë që panë veç të tjerash tek kjo çështje, edhe një mundësi për të fituar më shumë kredo publike.
Paralel me këtë, në prapaskenë pas protestës së 2 marsit, Ilir Meta dhe të tjerë në opozitë rrotull tij, po punonin për ta vijuar lojën e vjetër politike për kapjen e reformës në drejtësi, përmes një plani të ri. Vitin e kaluar dështuan me skenarin e djegies së mandateve të deputetëve të opozitës dhe bojkotin e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit. Ndaj, këtë radhë zgjodhën ta vijojnë këtë lojë, me skenarin e 14 pikave të asaj që u quajt “Platforma për Integrimin Europian” të Shqipërisë.
Edhe vitin e kaluar si çdekretimi, ashtu edhe dekretimi në vend të tyre i zgjedhjeve të 13 tetorit që nuk u realizuan kurrë, u bënë sërisht në emër të integrimit europian të Shqipërisë. Në emër të plotësimit të kushteve të Bundestagut gjerman dhe ëndrrës së kahershme të shqiptarëve. Sa më shumë i largoheshin rrugës institucionale të luftës politike në demokraci, sa më shumë hidhnin molotov, flakë e bojë mbi institucionet, aq më shumë trumbetohej si diçka në emër të stabilitetit.
Vitin e kaluar pavarësisht se kush ishte regjisori në prapaskenë, loja u që të luhej në terren, nga Kryetari i PD, Lulzim Basha dhe ajo e LSI, Monika Kryemadhi. Por këtë vit, me sa duket të pakënaqur nga lidershipi i tyre, situata ndryshoi. Violina e parë e orkestrës opozitare, nisi të dilte gjithmonë e më shumë, vetëm Ilir Meta. Ndërsa Lulzim Basha, u pa të spostohej gjithnjë e më në hije, duke e larguar nga fokusi i dritave të prozhektorëve mediatikë opozitarë.
Me skeptrin e liderit real të opozitës tashmë, Ilir Meta përmes pikave të Platformës së re tentoi që ta kushtëzonte reformën zgjedhore, me ndryshimin e reformës në drejtësi dhe krijimin e një sistemi paralel të vendimarrjes politike. I ashtquajturi “konsensusi unanim në Këshillin Politik”, që citohet në pikën 9 të këtij dokumenti, ishte thjeshtë nxjerrje e vendimarrjes për çështje ligjore dhe kushtetuese të reformës në drejtësi, jashtë institucioneve demokratike dhe legjitime të vendit.
Me një fjalë, në vend të gjetjes së një mekanizmi legal për ta rikthyer opozitën, nga rruga në institucione, po kërkohej e kundërta. Po kërkohej që të dilnin edhe institucionet, në rrugë atje ku ndodhet prej më shumë se një viti tashmë, “Opozita e Bashkuar”. Nëse realizohej ky skenar, jo vetëm që reforma në drejtësi devijohej dhe niste të zhbëhej derisa të kapej e komandohej nga klasa politike, por në fund edhe Presidenti i Republikës, do të bëhej dirigjenti i gjithë skenës së zhvillimeve të vendit.
Ky skenar pasi u kuptua, u bë publik dhe dështoi për tu realizuar në praktikë, jo vetëm nga transparenca në kohë e Kryeministrit, por edhe me ndihmën e Ambasadores së SHBA në Tiranë, Yuri Kim. Pas kësaj, çuditërisht media dhe propaganda që e amplifikoi me aq zell atë, ra në heshtje të thellë. A thua se e gjitha çfarë Ilir Meta tentoi të realizonte, nuk ka ekzistuar kurrë. Thjeshtë gjithëkush vetëm mund ta mari me mend se çdo ishin duke bërë tani, nëse në vend të tij, do të ishte Edi Rama!
Nga sot loja ka vijuar sikur asgjë të mos ketë ndodhur. Lajmi më i madh për Ilir Metën ishte se kishte bërë një foto në natyrë! Zhurma që u bë për godinën e Teatrit Kombëtar, pushoi. Për shkak se po kërkohet që të harrohet sa më parë skenari politik, që tentoi ta përdori çështjen e teatrit si “Kalë Troje”, askush nuk e ka më mendjen tek godina. A thua sikur nuk ka veç një javë, por sikur sapo u mbushën 7 vite, që ajo është shembur!