Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski iu bashkua forumit ndërkombëtar të sigurisë në Mynih duke kërkuar një takim të fuqive globale për të marrë garanci të reja për Ukrainën, pasi sipas tij sistemi aktual global është shumë i dobët.
“Arkitektura e sigurisë ndërkombëtarë gjendet në një pikë kritike. Ne do ta mbrojmë vendin tonë me apo pa ndihmën e partnerëve, por e gjithë bota duhet të veprojë sepse ky është kontributi juaj në sigurinë evropiane dhe atë ndërkombëtare. Nuk e di se çfarë mendon apo ka vendosur presidenti Putin për të sulmuar, prandaj propozoj të takohem me të.”
Presidenti Zelenski shtoi më tej se fuqitë perëndimore duhet të heqin dorë nga politika e tyre e zbutjes ndaj Moskës dhe të veprojnë përmes zgjidhjeve që garantojnë siguri dhe paqe.
Më herët, në forum, zëvendës presidentja e SHBA, Kamala Harris tha se Uashingtoni do të përforcojë krahun lindor të NATO-s për të frenuar përparimin e mëtejshëm ushtarak rus, paralalisht me paralajmërimin për sanksione të forta dhe të koordinuara.
Ndërsa, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg si dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen adresuan edhe një herë rrezikun për një sulm të afërt rus, i cili nëse ndodh do të pasohet me veprime të forta nga ana e perëndimit.
Sipas vlerësimeve të inteligjencës amerikane, Rusia po trazon situatën në Ukrainën lindore për të pasur një pretekst për agresion të ri kundër Ukrainës. Edhe bombardimet e fundit në rajon, konsiderohen pjesë e strategjisë ruse për të krijuar provokime të rreme.