Prej më shumë se një jave, Gaza është kthyer në një zonë lufte nga përplasjet mes Izraelit dhe Palestinës. Ata që jetojnë aty rrëfejnë ditët e vështira mes raketave dhe frikës për jetën. Suheir al-Arbeed, me foshnjën në krahë, tregoi se çfarë iu mungon më së shumti këto ditë.
“Ne kemi nevojë për ushqim, rroba, dyshekë dhe qumësht. Më dhemb shpina sepse fle në dysheme. Më duhet të kërkoj nga njerëzit e tjerë pelena për djalin tim. Po përpiqem ta ushqej me gji, por ai është ende i uritur dhe vazhdon të qajë”, u shpreh ajo për “Al Jazeera”.
30-vjeçarja ishte një prej qindra familjeve që jetonin në veri dhe lindje të Gazës, të cilët u larguan nga shtëpitë e tyre të enjten, pas bombardimeve izraelite.
Për Umm Jamal al-Attar, tjetër banore e zonës, nuk është hera e parë që ajo dhe familja e saj janë zhvendosur për shkak të luftës. Ajo risolli në vëmendje se njëjta gjë ka ndodhur edhe në 2014, kur u vranë më shumë se 2,100 palestinezë.
“Fëmijët tanë duhet të shpërqendrohen me lodra ose ndonjë gjë tjetër për t’iu hequr mendjen nga bombardimet. Të gjithë flasin vetëm për bomba”, shtoi ajo.
Nga sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës deri tani janë vrarë të paktën 201 palestinezë, duke përfshirë 58 fëmijë dhe 35 gra.