Drejtori i FBI-së: Rusia nuk heq dorë nga ndërhyrja në zgjedhje

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Drejtori i FBI-së: Rusia nuk heq dorë nga ndërhyrja në zgjedhje

Drejtori i FBI-së, Christopher Wray paralajmëroi ligjvënësit se Rusia nuk po heq dorë nga përpjekjet për të ndikuar tek rezultati i zgjedhjeve të nëntorit, duke u munduar të dëmtojë shanset e fushatës së kandidatit demokrat, ish-nënpresidentit Joe Biden, një përfundim që duket se nuk po i shkon për shtat Presidentit Donald Trump.

Zoti Wray, duke dëshmuar para Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Sigurinë Kombëtare i përshkroi operacionet e Kremlinit për ndikim si “shumë, shumë aktive” në mediat sociale, në mediat shtetërore dhe organe të tjera të lidhura me të.

Ai tha se synimi i këtyre operacioneve është “kryesisht të denigrojnë ish-nënpresidentin Biden dhe atë që rusët e shohin si strukturë anti-ruse”.

Ishte hera e parë që zoti Wray paralajmëronte publikisht për intensifikimin e operacioneve ruse, që kur fushata presidenciale hyri në fazën e saj të fundit. Paralajmërimi i tij përputhej gjithashtu me vlerësimin e zyrtarit më të lartë amerikan të kundërzbulimit, William Evanina në gusht.

Advertisement

Zoti Evanina, kishte paralajmëruar gjithashtu se aktorë të lidhur me Rusinë, po “përpiqeshin të rrisnin shanset” për kandidaturën e zotit Trump, diçka që zoti Wray nuk e pohoi, kur u pyet për ndërhyrjen ruse.

Presidenti Trump reagoi të enjten duke iu drejtuar drejtorit të FBI-së me emër.

“Por Chris nuk po sheh aktivitet nga Kina, megjithëse është rrezik SHUMË më i madh sesa Rusia, Rusia, Rusia. Të dyja ato, plus të tjerë do të jenë në gjendje të ndërhyjnë në zgjedhjet e 2020-ës, me votimin tonë të ekspozuar me manipulimin e fletëve të votimit”, shkruante ai në Twitter.

Megjithë akuzat e presidentit për problemet e votimit me postë, që ai i ka përsëritur shpesh, drejtori i FBI-së u tha ligjvënësve se shqetësime të tilla ishin pa bazë.

Advertisement

“Nuk kemi parë ndonjëherë deri tani në zgjedhje kombëtare një përpjekje të koordinuar për mashtrim me votimin”, tha zoti Wray, duke u bërë jehonë garancive të dhëna nga zyrtarë të lartë amerikanë të rendit dhe zbulimit, të cilët folën me gazetarët muajin e kaluar.

Drejtori i FBI-së tha se është më i shqetësuar për valën e keqinformimeve nga Rusia dhe të tjerë, që kanë në shënjestër votuesit amerikanë.

“Shqetësimi im më i madh është breshëria e keqinformimit dhe amplifikimi i ndërhyrjeve më të vogla kibernetike. Druhem se me kalimin e kohës këto do të kontribuojnë tek gërryerja e besimit e votuesve amerikanë”, tha zoti Wray.

“Një përshtypje e tillë do të ishte perceptim, jo realitet. Mendoj se amerikanët mundet dhe duhet të kenë besim tek sistemi ynë i zgjedhjeve dhe tek demokracia jonë”, shtoi ai./ VOA

Advertisement

The post Drejtori i FBI-së: Rusia nuk heq dorë nga ndërhyrja në zgjedhje appeared first on Vizion Plus.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy