Bisedimet mes Ukrainës dhe Rusisë kanë nisur në kufirin me Bjellorusinë, ka thënë për agjencinë e lajmeve Reuters, këshilltari presidencial ukrainas, Mykhailo Podolyak.
Më herët zyra e presidentit ukrainas tha se qëllimi i Kievit për diskutimet ishte një armëpushim i menjëhershëm dhe tërheqja e të gjitha forcave ruse nga Ukraina.
I pari ishte delegacioni ukrainas, i cili ka mbërritur në vendin e takimit, për të marrë pjesë në bisedimet me përfaqësuesit e Federatës Ruse.
Takimi i sotëm konsiderohet teorikisht një bisedë paqeje, por për disa arsye të ndryshme sipas analistëve nuk pritet të japë rezultate të mëdha.
Para së gjithash, sepse qëndrimet e palëve janë dhe mbeten të papajtueshme. Duke komentuar takimin e sotëm, ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba tha se qeveria e tij “nuk do të heqë dorë asnjë pëllëmbë nga territori i saj”.
Presidenti rus Vladimir Putin, nga ana tjetër, e kishte nisur luftën duke mohuar në mënyrë efektive të drejtën e Ukrainës për të qenë një shtet. Për më tepër, sapo kishte filluar pushtimi, ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov kishte deklaruar se do të pranonte të dialogonte me Ukrainën vetëm nëse kjo e fundit do të dorëzohej. Me pak fjalë, gjasat janë të mos ketë vend për një marrëveshje.
Së dyti, luftimet po vazhdojnë edhe në kohën kur palët ranë dakord të takohen. Gjithashtu presidenti rus Vladimir Putin ka urdhëruar që forcat bërthamore ruse të jenë në gatishmëri, për shkak të sanksioneve “agresive” të vendosura nga vendet perëndimore.
Një tjetër faktor që zbeh në maksimum pritshmëritë për takimin e sotëm janë deklaratat e ndryshme të palëve. Presidenti i ukrainës Zelensky, sipas të cilit 24 orët e ardhshme do të jenë vendimtare, tha se ishte skeptik në lidhje me takimin. Ai pranoi të takonte delegacionin rus “pa parakushte”, duke sqaruar se po e bën këtë për të mos lënë asnjë gurë pa lëvizur.
“Unë nuk besoj shumë në rezultatin e këtij takimi, por le të shpresojmë se do gjendet një zgjidhje. Asnjë qytetar ukrainas nuk duhet të ketë dyshime se unë, si president i vendit, nuk shfrytëzova gjithçka, edhe mundësinë më të vogël, për të ndaluar luftën”, shkruajti Zelensky në rrjetin e tij në Telegram.
Oksana Markarova, ambasadorja e Ukrainës në Shtetet e Bashkuara deklaroi se “ne jemi gati për t’u ulur në bisedime, por jo për t’u dorëzuar”.