Dy trajnerë të ekipit të Bjellorusisë janë dëbuar nga Lojrat Olimpike, katër ditë pasi u përfshinë në përpjekjen për të dërguar atleten Krystsina Tsimanouskaya në Bjellorusi jashtë dëshirës së saj.
Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (KON) tha të premten se ka dëbuar dhe hequr kredencialet e trajnerëve Artur Shimak dhe Yury Maisevich.
“Dy trajnerëve iu kërkua të largoheshin menjëherë nga Fshati Olimpik dhe ata u larguan,” tha Komiteti Olimpik.
Lëvizja erdhi si një masë e përkohshme ndërsa po zhvillohet një hetimi zyrtar “në interes të mirëqenies së atletëve”, tha Komiteti Olimpik.
Shimak dhe Maisevich vazhduan të kishin kontakte me atletët bjellorusë që nga e diela pasi Komiteti Olimpik mori informacion se ata kishin marrë atleten Tsimanouskaya me një makinë në aeroport për ta detyruar atë të hipte në një avion për në Bjellorusi.
Tsimanouskaya kishte kritikuar trajnerët e ekipit në mediat sociale dhe tani ndodhet në Poloni me një vizë humanitare.
KON tha se trajnerëve Shimak dhe Maisevich “do t’u ofrohet mundësia për t’i dëgjuar” nga komisioni disiplinor që po heton rastin.
Komiteti Olimpik Bjellorusi tha se të dy trajnerët do të kthehen në Minsk së shpejti dhe “ata rezervojnë të drejtën të apelojnë vendimin”.
Bjellorusia është përfshirë nga trazirat për më shumë se një vit pasi presidenti autoritar Aleksander Lukashenko fitoi një mandat të gjashtë pas zgjedhjeve të konsideruara si të manipuluara në favor të tij. Ish-republika sovjetike ka shtypur vazhdimisht kritikët e saj.
Lukashenko gjithashtu drejtonte Komitetin Olimpik të Bjellorusisë që nga vitet 1990 deri këtë vit. Djali i tij, Viktor, u zgjodh për ta zëvendësuar atë në këtë post.
Në dhjetor KON i ndaloi të dy, atë e bir të merrnin pjesë në Lojërat Olimpike të Tokios, pasi hetuan ankesat e atletëve se janë përballur me hakmarrje dhe kërcënime pas zgjedhjeve.
Alexander Lukashenko gjithashtu nuk ishte në gjendje të merrte pjesë në Lojërat Olimpike të Londrës 2012, pasi Bashkimi Evropian i kishte hequr vizën për shkak të shtypjes së kundërshtarëve pas zgjedhjeve të diskutueshme të asaj kohe.
Megjithatë, sanksionet e Komitetit Olimpik kundër Bjellorusisë u kritikuan nga aktivistët dhe grupet ndërkombëtare që përfaqësonin atletët të cilët kërkuan një pezullim të plotë të tyre nga Komiteti Olimpik Kombëtar. Kjo do të lejonte që Tsimanouskaya dhe pjesa tjetër e 103 anëtarëve të ekipit bjellorus të konkurronin si të pavarur nën flamurin olimpik.
I pyetur të premten se si zyrtarët olimpikë e kanë trajtuar Bjellorusinë, Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach tha se “nuk ishte në pozitë të ndryshonte sistemin politik të një vendi”.
” Përgjegjësia dhe detyra jonë është të mbrojmë atletët sa më shumë të mundemi,” tha zoti Bach, duke e cilësuar incidentin në Tokio si një “rast të turpshëm”.
Në Bjellorusi, zyrtarët olimpikë thanë se ishin në kontakt të ngushtë me Komitetin Olimpik Ndërkombëtar dhe “do të vazhdojnë të mbrojnë interesat e të gjithë sportistëve dhe trajnerëve bjellorusë nga çdo formë diskriminimi”./Voa