Dy bashkëshortë të dyshuar si shpërndarës droge në kryeqytet përfunduan në prangat e policisë pas një kontrolli jo vetëm në shtëpinë, por edhe në trupin e gruas.
Kur çifti që po survejohej nga antidroga u dërgua për kontroll më të imtësishëm në drejtorinë qendrore, befasia ishte gruaja nga Durrësi me inicialet A. S, që mbante fshehur në reçipeta një qese , me katër doza kokainë.
Por pas këtij kontrolli, befasia ishte edhe sasitë dhe llojet e drogës që ata mbanin në banesë, që nga hashash e deri tek ekstazi.
Dyshohet se çifti i bashkëshortëve që në lagje hiqeshin si të qetë dhe mjaft të edukuar e çonte drogën në banesën apo vendin ku e kërkonin përdoruesit. Bashkëshorti i saj i moshës 41 vjeç me inicialet J. Q u konstatua në flagrancë nga shërbimet e antidrogës pas vëzhgimeve që e nxjerrin zbuluar, por që për policinë për një kohë të gjatë nuk po kuptohej se si ai shpërndante drogën. I riu kishte gjetur në fakt një formulë krejt të re, duke përdorur partneren me të cilën ka krijuar familje.
Sipas burimeve të gazetës “Si”, J. Q me banim në Kombinat dyshohej se shpërndante kokainë dhe hashash në zonën e “1 Majit” dhe të “Komunës së Parisit”.
Ky shtetas përdor një mjet Saab, i tha policisë një informator, por që për antidrogën pas disa ditëve vëzhgim rezultoi e vështirë të gjente se me ç’mënyrë ata e dërgonin drogën te përdoruesit.
Policia shkruan në raport shërbimi “në orën 21.30 ne pamë automjetin që u parkua dhe prej andej doli ky shtetas nën shoqërinë e një femre.
Sapo dolën, i bllokuam dhe ju kërkuam kontroll makine”. Policia referon në raport shërbimi se në mjetin Saab, nuk kishte asnjë dozë hashashi apo droge.
Por, në këto kushte, pavarësisht se mjeti i dyshuar dukej qartësisht që përdorej për grirje hashashi, antidroga ka urdhëruar kontroll edhe në banesën e çiftit.
“Ne nuk po e kuptonim se si ka mundësi, të dhënat i kishim të sigurta, që çifti po shkonte të shpërndante drogë, ende nuk e kishim zbuluar që mjeti ishte i pastër, por që dozat fshiheshin në trupin e 37-vjeçares”, tregoi për gazetën “Si” burimi i antidrogës.
Në trupin e të resë më pas u gjetën dozat e kokainës, dhe sipas policisë dyshohet se ajo është bashkëpunëtore me të shoqin, ndaj edhe ajo u arrestua.
Veç kokainës, efektivët kanë zbuluar në banesën e çiftit qese me lëndë narkotike hashash në formën e çokollatës, tri qese me metamfetamin, 12 doza ekstazi. Doza me hashash, fara të bimës narkotike kanabis dhe fishekë.