DETAJET: Cila është kompania franceze, që do ndërtojë parkun 100 milionë euro të energjisë diellore në Divjakë (më i madhi në Ballkan)

Pinterest LinkedIn Tumblr +
DETAJET: Cila është kompania franceze, që do ndërtojë parkun 100 milionë euro të energjisë diellore në Divjakë (më i madhi në Ballkan)

Në Shqipëri, një shoqëri e njohur franceze, VOLTALIA, u shpall sot fituese e garës së hapur nga autoritetet për ndërtimin, në zonën e Karavastasë, në jug të vendit, të një parku fotovoltaik, më i madhi në Ballkanin perëndimor. Parku, i cili do të shtrihet në një sipërfaqe prej 198 hektarësh, do të mund të prodhojë 140 megawat energji nga burimet diellore.

Ishin afër 30 kompani dhe grupe të huaja të cilat shfaqën interes për ndërtimin e tij. Në fund të procesit të nisur në janar të këtij vitit, mbetën në garë 5 shoqëri, nga vende të ndryshme, si Kina, Gjermani apo dhe India. Por e vetmja që në fund rezultoi të plotësonte të gjitha kriteret teknike, ishte kompania franceze, e cila sot habiti autoritetet me ofertën financiare.

Nga 140 megawat, sipas përcaktimeve të garës, 70 do të munden të shiten në tregun e lirë, ndërsa 70 megawat të tjera do të duhet t’i shiten operatorit shqiptar të shpërndarjes së energjisë, OSSHE, për një periudhë 15 vjeçare. Çmimi maksimal i përcaktuar nga autoritetet ishte 55 euro për megawat/ora. Kompania franceze ofroi nga ana e saj 24.89 euro për megawatt/ora, ose 40 përqind më lirë. Investimi i saj për ndërtimin e parkut fotovoltaik i kalon 100 milion eurot.

Kompania franceze, bëri përshtypje, dhe me amballazhimin e ofertës, e futur në një kuti plastike të trashë, mbyllur po me fije të forta plastike. Përfaqësuesve të ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, ju deshën disa minuta për ta hapur duke përdorur pinca dhe thikë. Brenda saj, fleta me ofertën gjendej në një zarf të mbyllur me tre vula të mëdha.

Advertisement

Në 2018-ën, VOLTALIA, ishte lënë jashtë garës për ndërtimin e një tjetër parku fotovoltaik, atij të Akërnisë në Vlorë, i cili ju besua një konsorciumi indian. Ndonëse në atë kohë, autoritetet folën për një grup të rëndësishëm, ndërtimi i parkut nuk nisi asnjëherë, dhe askush nuk dha asnjë shpjegim për dështimin e atij projekti.

Mbase çmimi komplet i papritur justifikon edhe gjithë atë mbyllje hermetike të ofertës”, tha kryeministri Edi Rama, i pranishëm në ceremoninë e hapjes së ofertave financiare. Për zotin Rama, investimi në ndërtimin e parkut të Karavastasë “nuk është thjesht i rëndësishëm në vlerë, por edhe në faktin se do të bëhet nga një kompani me prestigj të madh ndërkombëtar dhe nga ana tjetër, nga hyrja në ekonominë shqiptare e një aktori të rëndësishëm ekonomik që vjen nga Franca”.

VOLTALIA, është një kompani e kuotuar në bursë, dhe që e ka shtrirë aktivitetin e saj në sektorin e energjisë së rinovueshme në 20 vende të botës. Ajo është pjesë e grupit të madh francez Mulliez, i kontrolluar nga familja me të njejtin emër, një nga 5 më të pasurat e Francës.

Ky park energjitik nga ku investimi kap shifrën e 100 milion eurove, do të shtrihet në bashkinë e Divjakës, në zonën Remas ku janë 122 hektarë tokë dhe në bashkinë e Fierit, në zonën e Libofshës ku janë përfshirë edhe 76 hektarë të tjerë. Kryeministri Rama shpalosi ambicien për ta çuar përpara prodhimin e energjisë përmes paneleve fotovoltaik.

Advertisement

“Kjo është një ditë shumë pozitive për Shqipërinë. Deri në 2050 pritet që të trefishojë nevojën për energji bota ku jetojmë. Ky është parku më i madh në rajon. Për ne është fillimi i një procesi, ku presim rritjen e këtyre kapaciteteve. Çmimi është fantastik, jashtë çdo parashikimi, pritshmëritë ishin larg. Uroj që të jemi në kantier në vjeshtë”, u shpreh kryeministri .

Kryeministri zbuloi edhe një tjetër plan, për ndërtimin e një hidrocentrali të ri nga shteti shqiptarë.

“Shumë shpejt do të dalim në një proces tjetër, i menduar dhe vonuar me më shumë dekada se 30 vite, projektimi dhe ndërtimi i HEC-it të Skavicës. Ka qenë objektiv i të gjitha qeverive, është objekt i domosdoshëm, i komplikuar dhe për këtë arsye qeveritë e kanë pasur në plan por e kanë shtyrë. Kemi vendosur ta ndërtojmë me forcat tona, 100% shteti”, shton më tej Rama.

Projektet për të ndërtuar hidrocentralin e Skavicës datojnë që në vitet 70 si pjesë e veprave hidroenergjitike të kaskadës së Drinit por asnjëherë deri më sot nuk u bë i mundur ndërtimi. Tentativat e fundit por pa sukses, për të ndërtuar këtë hidrocentral janë në vitet 2014 dhe 2016 nga dy kompani turke.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy