Memorie.al publikon historinë e panjohur të ndodhur në rrethin e Vlorës në vitet 1943-’44 ku Qarkori Komunist u përça dhe u nda në dy pjesë, për shkak se Enver Hoxha kishte sulmuar dhe kërkonte eliminimin fizik të Sadik Premtes, një nga themeluesit e Partisë Komuniste, të cilin ai e kishte shpallur “tradhëtar” së bashku me Ansatas Lulën, kryetarin e Grupit Komunist të të Rinjëve. Vajtja e Enverit vetë në Vlorë për të likujduar “Grupin fraksionist të Sadik Premtes”, duke angazhur aty krerët më të lartë komunistë të atij qarkori, nga Hysni Kapo, Mehmet Shehu, Abaz Fejzo etj., ku si rezultat i përplasjeve që u krijuan në mes grupit që mbështesnin Sadik Premten dhe atyre që ishin në anën e Hysni Kapos, mbetën shumë të vrarë. Dëshmia e rrallë e Mehmet Imerit, për vrasjen e vëllait të tij, Nekiut, komandant i “Çetës Plakë” të Vlorës që mbështeste Sadik Premten, lidhur me ngjarjen e shumë përfolur në Mullirin e Kotës ku mbetën të vrarë nga partizanët e Mehmet Shehut, Hydajet Micoli dhe Xhemil Çakërri, si dhe ngjarja te Ura e fshatit Gjorëm, ku u vranë Neki Imeri bashkë me dy shokët e tij, Xhaferr Dalani dhe Hodo Halili, si dhe Shyqëri Alimeriko (“Hero i Popullit”) e Sadik Zoto, dy partizanë që kishin zënë pritën. Hakmarrja më pas e Enver Hoxhës ndaj fshatit Gjorëm të Sadik Premtes, nga partizanët e Brigadës së Parë dhe asaj të Pestë, të cilët kur plaçkitën dhe dogjën fshatin, këndonin: “Djemtë e Gjormit ku vanër/ po leshëverdhat ku i lanë”.
Nga Dashnor Kaloçi
“Vrasja e vëllait tim, Neki Imerit, dhe Xhaferr Dalanit, nuk tronditi vetëm familjet tona dhe fshatin Gjorm, por dhe gjithë krahinën, si dhe vetë krerët kryesorë të Partisë Komuniste Shqiptare. Nekiu kishte shumë besim te shokët e tij, Hysni Kapo, Mehmet Shehu etj., dhe ai nuk u besonte lajmeve që vinin herë pas here mbi atentatet që po organizoheshin nga ana e Partisë Komuniste. Kur Kadri Avdiu, nga Brataj i Vlorës, i dërgoi Nekiut një letër ku i thoshte: ‘Neki, ruhu se do të vrasin’, ai e mori letrën dhe i shkroi nga pas: ‘Ruhu për vete Kadri, se unë kam edhe një vëlla tjetër, ti e mbyll fare’. Dhe atë letër ia kthehu Kadri Avdiut po me të njëjtin njeri”. Kështu e kujtonte atë ngjarje Mehmet Imer Hoxha, i cili na tregonte të gjithë historinë e vrasjes së vëllait të tij, Neki Imerit, apo siç njihej ndryshe me pseudonimin e Luftës, “Vangjo”, ish- komandantit të Çetës Plakë të Vlorës, vrasje e cila që nga ajo e kohë e vazhdimisht, deri në ditët e sotëme, ka ngjallur mjaft debate dhe diskutime të shumta. Kush ishte Neki Imeri, cila ishte e kaluara e tij dhe si qëndron e vërteta e asaj vrasje që u krye direkt me porosinë e krerëve më të lartë të Partisë Komuniste Shqiptare?
Student i Harry Fultz-it
Neki Imeri u lind në vitin 1914-të në fshatin Lepenicë të krahinës së Kurveleshit, prej nga është dhe origjina e asaj familje, një nga më të dëgjuarat e asaj zone. Pasi mbaroi shkollën fillore në fshatin e tij të lindjes në mesin e viteve 1920-të, me ndihmën e Arshi Halilit, (babit të shokut të tij të ngushtë, Mynyr Xhindit), i cili ishte në funksionin e Kryetarit të Bashkisë së Vlorës, Nekiu mundi që të fitonte një bursë shtetërore për të ndjekur studimet në shkollën Teknike Amerikane të Harry Fultz-it në Tiranë. Gjatë viteve që studjoi në atë shkollë, (në degën që përgatiste studentët për të ndjekur studimet e larta për Inxhineri Mekanike) Nekiu bashkë me shokun e tij të ngushtë, Mynyr Xhindin, u njohën dhe ranë në kontakt për herë të parë me idetë komuniste. Atë doktrinë ata e njohën nëpërmjet literaturës dhe bisedave që bënin veç të tjerash, edhe me bashkëfshatërin e tyre, Sadik Premten, i cili ishte në krye të Grupit Komunist të të Rinjve, që përbëhej kryesisht nga studentë të asaj shkolle. Mbasi mbaroi shkollën Teknike amerikane me rezultate të shkëlqyera, Nekiu mori diplomën dhe u emërua si nëpunës Bashkie në qytetin e Sarandës.
Në vitin 1939, kur Italia ndërrmori agresionin fashist ndaj Shqipërisë, Neki Imeri ishte një nga ata të rinj vlonjatë që rroku armët dhe shkoi për të luftuar në bregdetin e Bestrovës, ku pushtuesëve i’u bë një rezistencë e fortë për disa orë. Në vitin 1941, Nekiu e la punën që kishte në Bashkinë e Sarandës dhe u kthye në fshatin e tij të lindjes në Lepenicë, për t’u marrë me organizimin e rezistencës antifashiste. Atë gjë ai e bëri me porosinë e Qarkorit Komunist të Vlorës, ku Nekiu ishte një nga antarët më aktiv të saj dhe kishte marrë pjesë që në themelimin e celulës së parë të Partisë Komuniste për Vlorën. Lidhur me këtë dhe aktivitetin e Nekiut gjatë viteve të parë të fillimit të rezistencës antifashiste, i vëllai i tij, Mehmet Imer Hoxha dëshmonte: “Kur Nekiu e la punën në Sarandë dhe u kthye në shtëpi, babai e pyeti: Pse e le punën o bir? Nekiu i’u përgjigj: “Erdha për të luftuar dhe bashkë me shokët do të çlirojmë Shqipërinë nga pushtuesit që na kanë zaptuar vatrat tona”, kujton Mehmeti, fjalët e vëllait të tij, Nekiut, në atë kohë që ai me porosinë e Qarkorit Komunist të Vlorës, e la punën e tij në Sarandë dhe u kthye në fshatin e tij të lindjes.
Komandant i Çetës Plakë të Vlorës
Po cili ishte aktiviteti i mëvonshëm i Neki Imerit dhe përse u caktua ai në funksionin e Komandantit të Çetës Plakë të Vlorës? Lidhur me këtë, i vëllai, Mehmeti dëshmonte: “Në marsin e vitit 1942, Nekiu u muar me formimin e njësitit të parë partizan të armatosur për gjithë rrethin e Vlorës dhe disa muaj me vonë, në ditët e para të dhjetorit të po atij viti, ai njësit partizan i shtuar me shumë fshatarë të tjerë, u quajt “Çeta Plakë” e Vlorës. Me detyrën e komandantit të kësaj çete, u ngarkua Nekiu, kurse komisar i saj u caktua, Qazim Çakërri, me pseudonimin e Luftës, “Difi”. Ky formacion partizan që ishte dhe i pari për të gjithë rrethin e Vlorës, së bashku me forcat nacionaliste që vepronin në atë kohë në fshatrat e krahinës sonë, zhvilloi disa luftime shumë të ashpra kundër italianëve, ku vlejnë për t’u përmëndur ato të: Gjormit, Selenicës, Bestrovës, Drashovicës etj. Në atë kohë që u formua “Çeta Plakë” e Vlorës, në krye të Partisë Komuniste të Shqipërisë, ishin dy emisarët jugosllavë, Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha. Nekiut nuk i pëlqente fare fakti që ata të dy e bënin ligjin në Parti dhe atë gjë e shprehte hapur gjithnjë.
Më kujtohet njëherë, kur në shtëpinë tonë erdhën Hysni Kapo me Dushan Mugoshën. Ishte pasdite ahere kur ata mbërritën tek ne me biçikleta. Hysniu nuk qëndroi fare tek ne dhe erdhi vetëm për të sjellë Dushanin, i cili atë natë qëndroi në shtëpinë tonë nën shoqërinë e shumë gjormiotëve të tjerë që erdhën për ta shoqëruar. Ndër ta më kujtohen Veledin Hadëri dhe Sami Avduli nga Lepenica. Të nesërmen, pasi iku Dushani, babai, Imeri, e pyeti Nekiun: ‘Kush qe ai? Nekiu i’u përgjigj: ‘Një serb, por nuk më pëlqeu fare’. Në bisedat që bënte Nekiu me shokët e tij që vinin në shtëpinë tonë, ai shprehej hapur duke u thënë se: luftën kundër fashistëve italianë duhej ta drejtonin vetë shqiptarët, pa ndihmën e ndërhyrjen e të huajve”, kujton Mehmet Imeri, lidhur me vëllanë e tij, Nekiun, i cili që në fillimin e Luftës, ishte kundër diktatit të dy emisarëve serbë, Mugosha e Popoviç.
Nekiu mbështet Sadik Premten
Në fillimin e pranverës të vitit 1943, kontraditat që kishin filluar prej kohësh në mes Enver Hoxhës dhe Sadik Premtes, kunatit të Nekiut, (kishte për grua motrën e Neki Imerit, Refien), filluan të acaroheshin së tepërmi. Ato kontradita kishin filluar që me themelimin e Partisë Komuniste, sepse Enver Hoxha ishte kundër Grupit Komunist të të Rinjve që e drejtonin Sadik Premtja dhe Anastas Lulo. Në atë kohë që Enver Hoxha filloi sulmet ndaj Sadikut, Neki Imeri mbajti anën e kunatit të tij dhe kjo gjë shkaktoi një përçarje të madhe në mes krerëve kryesorë të Partisë Komuniste dhe atyre të Qarkorit të Vlorës. Lidhur me këtë, Mehmet Imer Hoxha dëshmonte: “Vendimet e krerëve të Partisë Komuniste që më pas u përkrahën edhe nga një pjesë e Qarkorit të Vlorës, nuk ishin vetëm kundër Sadik Premtes, por edhe kundër të gjithëve mbështetësve të tij, me në krye Nekiun. Nisur nga ai fakt, krerët e lartë të Partisë Komuniste Shqiptare, vëndosën jo vetëm eleminimin fizik të Sadikut, por edhe të Nekiut. Për këtë gjë, pra, për eleminimin e vëllait tim, Neki Imerit, Enver Hoxha ngarkoi çetën e Mallakastrës që në atë kohë komandohej nga Mehmet Shehu.
Pas kësaj më 7 maj të vitit 1943, Nekiut i erdhi një letër nga “Vjosa” (pseudonimi i Mehmet Shehut), i cili e kërkonte atë të nisej urgjent për në Mallakastër. Nekiu u konsultua me Sadik Premten, i cili e këshilloi atë që të mos shkonte në atë takim, se dyshonte se do të ishte ndonjë kurth të tyre. Sadiku e nuhati atë gjë pasi nuk kishte më shumë se dy javë që ishte vrarë shoku i tij i ngushtë, Anasatas Lula. Nekiu i tha Sadikut: ‘Të dëgjova njëherë për të mos vajtur në Skrapar, ndërsa tani po të mos vete dhe në Mallakastër, përgjegjësia para Partisë do të bjerë mbi mua. Ne do të vemi dhe do të bisedojmë, në mënyrë që të bashkohemi të gjithë dhe të mos përçahemi”, kujtonte Mehmeti, atë kohë kur i vëllai i tij, Nekiu, u bë një nga mbështetësit kryesorë të kunatit të tij, Sadik Premtes, në konfliktet që ai kishte me udhëheqësin kryesor të Partisë Komuniste, Enver Hoxhën.
Kurthi për vrasjen e Nekiut
Po si rrodhën ngjarjet më pas me Neki Imerin dhe a shkoi ai për t’u takuar me Mehmet Shehun, pas letrës së tij? Lidhur me këtë, Mehmet Imer Hoxha dëshmonte: “Pas letrës së Mehmetit, Nekiu u nis me një pjesë të batalionit për në Mallakastër, duke marrë me vete edhe komisarin e Çetës, Xhemil Çakërrin, i cili kishte zëvëndësuar në atë post, Qazim Çakërrin. Një pjesë tjetër e batalionit, pas këshillave të Sadik Premtes, nuk shkoi për në Mallakastër. Nekiu shkoi deri në Rexhepaj të Gorishtit dhe nga aty i nisi një letër Mehmet Shehut, duke i thënë se: ishte në pritje dhe priste urdhër se si të vepronte. Pas kësaj më 9 maj i erdhi përgjigjia nga Mehmet Shehu në të cilën thuhej: Shoku Vangjo, merr edhe Milon (pseudonimi i Xhemil Çakërrit) dhe sonte takohemi në shtëpinë e Bilos”,(pseudonimi i Bilbil Klosit). Pasi Nekiu mori këtë letër nga Mehmet Shehu, ai e zbatoi urdhërin e tij dhe bashkë me të gjithë partizanët që kishte nën komandë, shkoi në shtëpinë Bilbil Klosit. Por kur mbërritën atje, nuk e gjetën Mehmet Shehun, sepse ai kishte ikur dhe kishte lënë aty vetëm disa partizanë të thjeshtë, duke u lënë porosinë që Neki Imeri me partizanët e tij të qëndronte në Kremeuar.
Në atë shtëpi ku qëndruan, Nekiu me Xhemil Çakërrin, biseduan të qetë me partizanët që kishte lënë Mehmet Shehu, por aty nga mesnata, papritmas ata të dy i lidhën duke i thënë se ishin të arrestuar. Pas kësaj ata i nxorrën nga shtëpia dhe të shoqëruar me disa roje partizane, i nisën për në drejtim të fshatit Çorush të Mehmet Shehut. Gjatë rrugës duke udhëtuar për në fshatin Çorush, kur mbërritën në Kutë, ata u përballën me zv/komandantin e batalionit, Hydajet Micollin (me pseudonimin “Dysheku”) nga Bolena, i cili u befasua kur pa komandantin dhe komisarin me duar të lidhura. Por grupi i shoqërimit i kryesuar nga Idriz Seiti, për të evituar ndonjë përplasje me armë, i futi dy të arrestuarit, Nekiun e Xhemilin, në Mullirin e Kutës, që ndodhej aty pranë. Ndërkohë që Hydajeti u nis për në drejtim të derës kryesore të mullirit me qëllim për të liruar dy shokët e tij, plumbat e goditën nga pas dhe ai ra përdhe pa frymë. Ndërkohë Xhemil Çakërri nga brenda mullirit, po përpiqej që të hapte derën, por plumbat e skuadrës së shoqërimit e rrëzuan dhe atë.
Në atë kohë Nekiu që kishte marrë një plumb në dorë, ashtu i lidhur u hodh në vijën e ujit të mullirit. Pas kësaj ai arriti që të dilte jashtë mullirit dhe aty e morën partizanët e Çetës së Mallakastrës, të cilët e zgjidhën dhe i’a lidhën plagën që kishte në krahë. Pasi e mjekuan ata e nisën për në Çorush, ku takuan Mehmet Shehun, i cili iu shpjegoi se e gjithë ajo ngjarje kishte ardhur pas një gabimi të bërë pa dashje dhe pa asnjë qëllim”, kujtonte Mehmet Imeri, lidhur me ngjarjen e shumëpërfolur të Mullirit të Kutës, ku mbeti i vrarë Hydajete Micolli (Dysheku, Hero i Popullit) dhe Komisari i Çetës Plakë të Vlorës, Xhemil Çakërri.
Përpjekjet për arrestimin e Sadikut e Nekiut
Ndërkohë që Neki Imeri shpëtoi pa u vrarë në Mullirin e Kutës, kunatit të tij, Sadik Premtes, i kishte shkuar një letër që e ftonte të shkonte në një takim në vëndin e quajtur Shkalla e Tragjasit. Lidhur me këtë, Mehmet Imeri dëshmonte: “Pasi mori atë letër, Sadik Premtja me Xhaferr Dalanin u nisën për në vëndin e caktuar. Ndërkohë, në fshatin Traqgjas, Jaup Xhezua kishte parë Kastriot Muçon (“Hero i Popullit”) që kishte shoqëruar Pali Terovën për tek Hysni Kapua. Megjithëse para se të nisej, Pali Terovën e kishin këshilluar që të mos shkonte se do ta fusnin në ndonjë kurth, ai ishte përgjigjur: ‘Kur më kërkon Partia, nuk mund të mos shkoj’. Ndërsa Kastriot Muçua u kthye nga Shkalla e Tragjasit, Jaup Xhezua i pa në brez pistoletën e Pali Terovës, dhe dyshoi se mos ata e kishin vrarë Palin. Kurse e vërteta ishte se Palin vetëm sa e kishin çarmatosur dhe ishin duke i bërë gjyqin. Ndërkohë që Kastrioti u kthye aty, ai i tha Jaup Xhezos, se i kishte dërguar edhe Sadikut një letër për të ardhur. Pas kësaj, Jaup Xhezo u ul dhe i shkroi një letër Sadik Premtes, ku i thoshte se Palin e kishin arrestuar dhe ai në asnjë mënyrë nuk duhet të shkonte në vëndin ku e kishin kërkuar, se do ta vrisnin.
Atë letër që shkroi Jaupi, e mori Abaz Fejzua (pas Luftës, gjeneral-major, vdiq në burgun e Burrelit) dhe u nis menjëherë për tek Sadiku. Abazi e takoi Sadikun në mes të rrugës dhe të dy u kthyen. Ndërsa në të njëjtën ditë që në Mallakastër i’u bë atentat Hydajet Micollit, Xhemil Çakërrit dhe Neki Imerit, në fshatin Tragjas, i’u ngrit kurth Pali Terovës, Sadik Premtes dhe Xhaferr Dalanit. Pasi shpëtoi për mrekulli nga vrasja, Neki Imerit, u përpoqën që t’i mbushin mëndjen se ngjarja e Mullirit të Kutës, ishte aksidentale dhe ai duhej të bënte autokritikë”, kujtonte Mehmet Imeri, lidhur me përpjekjet e para të udhëheqjes së lartë të Partisë Komuniste, për të eleminuar fizikisht vëllanë e tij, Nekiun, Komandantin e “Çetës Plakë të Vlorës”, për faktin e vetëm se ai ishte një nga mbështetësit kryesorë të Sadik Premtes, kundërshtarin më potencial të Enver Hoxhës.
Enveri në Vlorë për Sadikun e Nekiun
Duke qenë se urdhëri i Enver Hoxhës për eleminimin fizik të Sadik Premtes dhe Neki Imerit, nuk u zbatua, Enveri vendosi dhe shkoi vetë në Vlorë. Lidhur me këtë, Mehmet Imeri, i vëllai i Nekiut, dëshmonte: “I mërzitur nga që aksionet për eleminimin e Sadik Premtes dhe përkrahësve të tij nuk patën sukses, Enver Hoxha erdhi vetë në Vlorë dhe bëri takime në disa fshatra duke bërë propagandë kundër Sadik Premtes dhe mbështetësve të tij. I gjithë ky inkursion i Enverit në fshtrat e Vlorës, bëhej me qëllim që ai të përgatiste terrenin për eleminimin fizik të Sadikut dhe njerzve që e ndiqnin nga pas. Fillimisht ai erdhi në Tragjas më datën 17 maj 1943 e më pas në fshatin Dushkarak më 19 maj, ku u takua me Hysni Lepenicën. Takimin e fundit Enver Hoxha e bëri me Nekiun dhe gjatë asaj bisede ata nuk ranë dakort me njëri tjetrin për problemet që diskutuan.
Nisur nga kjo gjë, Enver Hoxha e porositi Hysni Kapon, që të merrte me vete Nekiun dhe ta çonte nëpër fshatrat e Vlorës e Mallkastrës, me qëllim që ai të mbante fjalime para popullit, duke folur kundra Sadik Premtes. Hysni Kapo e zbatoi porosinë e Enverit dhe emori me vete Nekiun nëpër fshtrat e Vlorës dhe kur mbërriti në Mesaplik, xhaxhi ynë, Medin Hoxha, i kërkoi Hysniut, që t’ia linte Nekiun një natë në shtëpi. Atë natë bashkë me xhaxhain, shkova dhe unë në Mesaplik, me qëllim që të takohesha me Nekiun. Unë mësova se Nekiut i kishin dhënë leje të vinte fshehtas në Mesaplik, por i kishin thënë se në asnjë mënyrë nuk duhej të takohej me Sadik Premten. Kur Nekiu erdhi natën në një nga stanet e fshatit Mesaplik, atje u mblodhën edhe shumë nga djemtë e fshatit dhe fshatrave të tjerë përreth. Gjatë bisedës që bëri Nekiu me ta, ai i shpjegoi të gjithë atë që kishte ndodhur në Mallakastër, pra vrasjen e Fejzi Micollit dhe Xhemil Çakërrit në Mullirin e Kutës dhe gjithashtu mësoi të vërtetën e asaj që kishte ngjarë në Shkallën e Tragjasit.
Nisur nga ajo situatë tepër e ndërlikuar, atë natë u vendos që të bëhej një takim i të dy palëve, në fshatin Brataj të Vlorës, atyre që mbështesinin Sadik Premten dhe të tjerëve që mbështesnin Qarkorin Komunist të Vlorës. Për këtë gjë u njoftua dhe Hysni Kapo që ndodhej në fshatin Sevaster, por ai nuk erdhi në atë takim dhe ajo mbledhje u shty për një datë tjetër, me qëllim që përfaqësuesit e Partisë Komuniste të Vlorës, të kishin mundësi për të ardhur. Në takimin e dytë, nga përfaqësuesit e fshatit Gjorëm, shkuan: Sadik Premtja, Neki Imeri, Xhafer Dalani, Feti Premtja, Tasim Zyka dhe Selam Emini. Por as në këtë takim, përfaqësuesit e Qarkorit Komunist të Vlorës që ishin nën influencën e Enver Hoxhës, nuk morën pjesë”, kujtonte Mehmet Imeri, lidhur me vajtjen e Enverit në fshatrat e Vlorës, me qëllim për të përgatitur terrenin e eleminimit fizik të Sadik Premtes e Neki Imerit.
Vrasja e Nekiut nga partizanët
Po si rrodhën ngjarjet pas vajtjes së Enver Hoxhës në fshatrat e Vlorës, për problemin e Sadik Premtes e mbështetësve të tij? Lidhur me këtë, Mehmet Imeri kujtonte: “Hysni Lepenica, i cili në Mbledhjen e Mukjes ishte emëruar Komandant i Forcave të Armatosura për Qarkun e Vlorës, ishte i mendimit që duhej të bashkoheshin forcat nacionaliste me ato partizane dhe për këtë gjë, ai propozoi që Neki Imeri, të merrte komandën e të dy forcave të bashkuara. Ky propozim i Hysni Lepenicës, u aprovua nga të gjithë pjesmarrësit e asaj mbledhje ku mungonin përfaqësuesit e Qarkorit Komunist të Vlorës. Pas asaj mbledhje, gjormiotët u nisën për të shkuar në fshatin e tyre, Gjorëm. Në krye të tyre ecnin Nekiu me Xhaferr Dalanin dhe disa metra më pas, ishin: Feti Premtja, Tasim Zyka e Sadik Premtja me Qani Shenën. Gjatë rrugës, kur ata u afruan në vëndin e quajtur “Ura e Zonjës”, ranë në një pritë të një njësiti partizan, ku bënin pjesë: Shyqëri Alimerko, (Hero i Popullit), Luftar Bolena, (pseudonimi i Mehmet Jahos) Hodo Halili, Sadik Zotua, Servet H. Brahua etj. Ai njësit partizan që kishte zënë pritë aty, qëlloi menjëherë në drejtim të tyre dhe plumbat e parë e kapën në kokë Xhaferr Dalanin, duke e lënë të vdekur në vënd.
Po kështu disa plumba e kapën edhe Neki Imerin në gjoks, i cili ashtu i plagosur vazhdonte të qëllonte me automatik në drejtim të tyre. Gjatë atij shkëmbimi zjarri, mbetën të plagosur edhe Feti Premtja me Tasimin, ndërsa Sadik Premtja me Qani Shenën, u hodhën nga ura në lumë. Ata të dy pasi dolën nga uji, nisën të qëllonin kundër grupit të partizanëve të pritës që po tërhiqeshin në drejtim të pyllit, të cilët i mbronte një mitroloz që qëllonte pa pushim në drejtim të tyre. Gjatë atij shkëmbimi zjarri, u plagosën edhe dy nga antarët e njësitit partizan: Shyqëri Alimerko dhe Sadik Zotua, të cilët mundi që t’i tërhiqte në drejtim të pyllit, shoku i tyre, Hodo Halili. Gjatë tërheqjes së tyre, ata mbroheshin nga mitrolozi i Luftar Bolenës që ishte pozicionuar mbi rrugë. Luftari u tërhoq në pyll dhe nuk u pa më, ndërsa Hodua me dy të plagosurit, Sadikun e Shyqëriun, mbërritën pranë një burimi uji dhe tentuan të vazhdonin më tej rrugën. Por në ato çaste, Sadik Zotua i’u tha atyre: ‘Ikni ju, se puna ime mbaroi’. Pas kësaj, ata e lanë Sadikun aty të vdekur dhe Hodua me Shyqëriun vazhduan më tej rrugën në drejtim të Lepenicës”, kujtonte Mehmet Imeri lidhur me ngjarjen ku mbeti i vrarë i vëllai i tij, Nekiu.
Vrasja e Shyqëri Alimerkos
Po si rrodhën ngjarjet më pas dhe a u kapën anëtarët e njësitit partizan që kishin organizuar pritën kundër Sadik Premtes e Neki Imerit? Lidhur me këtë, Mehmet Imeri, kujtonte: “Nga që u dëgjuan të shtënat e armëve në fshatin Lepenicë, Hysni Lepenica i’u dha urdhër forcave të tij, që të rrethonin të gjithë pyllin dhe të kapnin të gjallë autorët e asaj ngjarje. Tamam në atë kohë, në fshatin Lepenicë mbërritën dhe dy trupat e pajetë të Neki Imerit e Xhaferr Dalanit, të cilët i çuan aty shokët e tyre. Ndërsa forcat e Hysni Lepenicës po bënin krehjen e zonës, ata rrethuan Shyqëri Alimerkon që ishte i plagosur në këmbë. Shyqëriu në fillim nuk qëlloi në drejtim të tyre, duke kujtuar se nuk e kishin diktuar. Por kur i bënë thirrje të dorzohej, ai nuk pranoi dhe në atë kohë H.B. qëlloi në drejtim të tij, duke e lënë të vdekur në vënd. Pas vrasjes së Shyqëri Alimerokos, Hysni Lepenica menjëherë dha urdhër që të mos vritej njeri tjetër, pasi ishin vrarë nga dy vetë prej të dy palëve. Nisur nga ky urdhër i tij, shpëtoi pa u vrarë nga fshatarët e revoltuar të Lepenicës, edhe Hodo Halili (me pseudonimin “Stërralli”, i cili ra i gjallë në duart e tyre, pasi kishte hyrë në baçen e një shtëpie dhe kishte kërkuar ujë. Hodo Halili i shtërnguar nga fshatarët e Lepenicës, u detyrua dhe tregoi të gjithë aksionin që ata e kishin organizuar me urdhër nga lart, për vrasjen e Sadik Premtes dhe Neki Imerit.
Pasi Hodua i tregoi të gjitha, ai u mbajt dy ditë aty dhe më pas u shoqërua për të dalë nga ajo zonë në drejtim të fshatit Mavrovë. Kur mbërriti në atë fshat, komunistët i bënë një gjyq, duke e akuzuar se ai u ishte dorzuar i gjallë ballistëve dhe i’a hoqën të gjitha funksionet që kishte në Parti. Pas kësaj erdhi një urdhër tjetër nga udhëheqja e Qarkorit Komunist të Vlorës, ku kërkohej që ai të nisej për në fshatin Hysoverdhë. Kur mbërriti atje, atij i’u bë një gjyq i dytë me të njëjtat akuza, dhe ai u dënua me vdekje si tradhëtar. Pas kësaj atë e ekzekutuan. Ndërkohë që ndodhën këto, Nekiun me Xhaferin u varrosën në fshatin Gjorëm, Shyqëriun e çuan në Tragjas, kurse Sadikun e morën smokthinjotët nën mbrojtje për ta ruajtur nga çdo e papritur”, kujtonte Mehmet Imeri, lidhur me përfundimin e asaj ngjarje të ndodhur në vëndin e quajtur “Ura e Zonjës”, ku nga prita e partizanve u vra i vëllai i tij, Neki, Imeri, shoku i tij, Xhaferr Dalani, si dhe dy nga partizanët e pritës: Shyqëri Alimerko e Sadik Zotua.
Hakmarrja e PKSH-së ndaj Gjormit
Vetëm pak kohë pas asaj ngjarje që bëri bujë të madhe jo vetëm në Qarkun e Vlorës, por dhe më tej, Enver Hoxha i’u dha urdhër forcave partizane që të hakmerreshin ndaj fshatit Gjorëm. Lidhur me këtë gjë, Mehmet Imeri dëshmonte: “Më 5 nëntor të vitit 1943, rreth 800 forca partizane të Brigadës së Parë dhe të Pestë rrethuan fshatin Gjorëm, i cili mbrohej vetëm nga 150 forca të fshatit. Pas 24 orësh lufte, forcat partizane hynë në fshat dhe fshatarët që ishin në mbrojtje të tij, çanë rrethimin dhe u larguan. Në shenjë hakmarrje forcat partizane dogjën 24 shtëpi të fshatit Gjorëm të cilëve iu morën dhe të gjithë pasurinë që kishin, duke filluar nga bagëtitë që u gjendën në fshat. Më kujtohet si tani dhe më ka mbetur në mëndje ajo ditë, kur ndërsa rrëmbenin bagëtitë e gjormiotëve, partizanët këndonin: ‘Djemtë e Gjormit ku vanë / Po leshëverdhat kujt ia lanë’. Dy ditë para kësaj ngjarje, ato forca partizane të njëtën gjë kishin bërë dhe me fshatin Lepenicë. Po kështu disa ditë pas Gjormit, partizanët dogjën edhe fshatin Dukat. Pasi u larguan nga fshati Gjorm, forcat partizane, vranë prapa krahëve edhe Mynyr Xhindin, Sekretarin Organizativ të Qarkorit Komunist të Vlorës dhe shokun e ngushtë të vëllait tim, Nekiut”, kujtonte Mehmet Imeri lidhur me masakrat e partizanëve në fshatrat Gjorë, Lepenicë e Dukat, si dhe vrasjen e Mynyr Xhindit.
Dënimi i babait të Nekiut
Po çfarë qëndrimi mbajti pas Luftës regjimi komunist që erdhi në fuqi për atë ngjarje ku mbetën të vrarë pesë pjestarë të forcave partizane? Lidhur me këtë, Mehmet Imeri dëshmonte: “Pas mbarimit të Luftës, nga pesë të vrarët e asaj ngjarje, dy u shpallën “Heronj te Popullit” dhe tre tradhëtarë. Shyqëri Alimeroko dhe Sadik Zotua u shpallën dëshmorë dhe Heronj të Popullit, ndërsa Neki Imeri, Xhaferr Dalani dhe Hodo Halili u shpallën tradhëtarë. Po kështu në lapidarin e ndërtuar në fshatin Gjorëm, për nder të krijimit të Çetës Plakë, nuk u shkruan kurrë emrat e komandantit dhe komisarit të saj, Neki Imerit, dhe Xhemil e Qazim Çakërrit. Në vitet e para të pas Luftës, në shtëpinë tonë vinin fshehurazi disa nga shokët e Nekiut, por babai bezdisej nga ato vizita të atyre njerzve që u qëndronin akoma besnik vrasësve të vëllait tonë.
Nisur nga kjo, një herë babai i tha Muço Delos: ‘Mos hajde më, se s’ka lezet’. Të njëjtën gjë, babai i tha dhe Kadri Avdiut që ne e kishim kushëri. Nga këto fjalë të babait që ranë në veshin e duhur, ndodhi dhe arrestimi i tij në vitin 1950. Pas kësaj, babanë tonë, Imer Hoxhën, e nxorrën në gjyq dhe e dënuan me tetë vjet burg politik, nga të cilat ai bëri vetëm pesë vjet. Por nuk ishte vetëm familja jonë që u persekutua nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, sepse e njëjta gjë ndodhi ndaj gjithë fshatit Gjorëm, ku Qarkori Komunist i Vlorës mbajti një qëndrim tejet të ashpër. Gjormiotët u quajtën ballistë dhe shumë prej tyre përfunduan burgjeve dhe internimeve”, e përfundon rrëfimin e tij, Mehmet Imeri, lidhur me një nga ngjarjet më të përfolura të Luftës në Qarkun e Vlorës, e cila edhe sot vazhdon të ngjallë ende debate dhe diskutime të shumta.