Memorie.al publikon historinë e panjohur të prishjes dhe shkatërrimin e Kishës së Shën Mërisë në Vaun e Dejës në fillimin e qershorit të vitit 1969, i cili ishte një objekt kulti me vlera të rralla për trashëgiminë kulturore shqiptare, pasi ishte ndërtuar në shekullin e XIII-të dhe konsiderohej si një nga të vetmet ndërtime të stilit romak, mbetur ende në këmbë që nga periudha e para pushtimit turk, çka e bënte atë unik, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan si i tillë, ishte futur e përfshirë edhe në katalogët e revistat europiane të trashëgimisë kulturore. Si reagoi drejtori dhe njëkohësisht themeluesi e legjenda e Institutit të Monumenteve të Kulturës, arkitekti i njohur Gani Strazimiri, (i diplomuar në Itali dhe Bashkimin Sovjetik), duke denoncuar në Prokurorinë e Shkodrës dhe Prokurorinë e Përgjithshme, të gjithë autorët e atij akti vandal, si drejtorin e kantierit të ndërtimit, Muhedin Muço, brigadierin, Hashim Zyberi (“Hero i Punës Socialiste”), drejtorin e Ndërrmarjes Shtetërore të Ndërtimit të Hidroçentralit, Emin Musliu, etj., duke i konsideruar ata si fajtorët kryesorë dhe duke kërkuar nxjerrjen e tyre para gjyqit për krimin që kishin bërë, si dhe pushimin e çështjes penale disa muaj më vonë nga Prokuroria e cila doli në konkluzionin se: “drejtori i kantierit të ndërtimit, nuk e dinte se ajo kishë ishte monument kulture, pasi nuk e kishte parë tabelën në derën e saj, ku thuhej se ajo mbrohej nga shteti”?!
Nga Dashnor Kaloçi
Edhe pse kanë kaluar më shumë se gjysëm shekulli nga prishja dhe shkatërrimi i Kishës së Shën Mërisë në Vaun e Dejës, e cila ishte ndërtuar në shekullin e XIII-të dhe ishte i vemti objekt kulti që mbahej në këmbë nga ato që i përkisnin periudhës së para pushtimit turk, madje duke u konsideruar si një nga objektet e trashëgimisë kultrore me vlera të rralla dhe unike jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan, ende dhe sot e kësaj dite vazhdon të diskutohet dhe të përflitet, jo vetëm për rëndësinë e madhe që kishte ai objekt që mbrohej nga shteti si Monument Kulture, por edhe për mënyrën se si e prishën dhe kush ishin ata që urdhëruan shkatërrimin e saj?! Që prej atij fillim qershori të vitit 1969, kur atij objekti të rrallë të trashëgimisë kulturore shqiptare që ishte futur edhe në katalogët e revistat e ndryshme europiane, i doli “tymi i zi”, kanë qarkulluar e vazhdojnë ende gojdhëna dhe dëshmi nga më të ndryshmet, duke mos “rakorduar” kurrë në një emër konkret, si për autorin e vërtetë të shkatërrimit të saj dhe ata që u fshehën pas tij…?! Kjo ngjarje që është konsideruar me të drejtë nga shumë personalitete të trashëgimisë kulturore, studjues të ndryshëm, etj., si një nga vandalizmat më të mëdha të regjimit komunist të Enver Hoxhës, në “aksionin e madh për luftën kundra besimeve fetare” që çoi në shaktërrimin e rrënimin e dhjetrave objekteve të kultit me vlera të mëdha kulturore. Lidhur me këtë ngjarje të pashoqe, që atë ditë kur sapo u mësua lajmi, apo më saktë “mënxyra”, se ajo nuk ekzistonte më, drejtori dhe njëkohësisht themeluesi i Institutit të Monumenteve të Kulturës në Tiranë, arkitekti i njohur, Gani Strazimiri, (i shkolluar dhe diplomuar në Itali dhe Bashkimin Sovjetik), i njohur ndryshe si “legjenda e monumenteve të kulturës”, bëri denoncimin në prokurori dhe hodhi shtetin në gjyq. Dhe pas një kalvari të gjatë të tij, duke trokitur në zyrat më të larta të shtetit komunist të asaj kohe, ku ai bërë denoncime me emra konkret për autorët e asaj maskare, si dhe me letra, telegrame, raporte, informacione, etj., ajo çështje u mbyll nga Prokuroria e Përgjithshme, me argumentin më banal të mundshëm, se: “drejtori i kantierit që urdhëroi shkatërrimin e asaj kishe, nuk e dinte se ajo ishte monument kulture, pasi nuk e pa tabellën që ishte te dera e saj”?!
Lidhur me këtë ngjarje dhe gjithë historinë e shkatërrimit të atij objekti kulti që tashmë ka mbetur vetëm në memorien e atyre njerëzve që kanë pasur rastin dhe fatin ta shohin nga afër, apo në disa imazheve filmike e fotove të rralla, na njohin disa dokumente arkivore që Memorie.al i ka siguruar nga fondi i ish-Komitetit Qëndror të PPSH-së, ku dëshmohet qartë dhe saktë, “fytyra” e vërtetë e atij regjimi, që edhe pse morri vendimin për prishjen e asaj kishe, s’pati kurajo t’i dilte zot atij veprimi, por u fsheh pas disa punëtorësh e drejtues të një kantieri ndërtimi që punonin në ngritjen Hidroçentralit të Vaut të Dejës, duke thënë se: “ata e prishën me inisiativë në kuadrin e luftës kundër ideologjisë fetare”?!
vijon nga numri i kaluar
Ankesa e Gani Strazimirit në Prokurorinë e Përgjithëshme, për pushimin e çështjes penale nga Prokuroria e Shkodrës
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË
INSTITUTI I MONUMENTEVE TË KULTURËS
Nr. 5/25 Prot. Tiranë më 30/8/1969
PROKURORISË SË PËRGJITHËSHME
T I R A N Ë
…drejtuesit e punimeve të ndërtimit të Hidrocentralit të Vaut të Dejës. Shtojmë se ajo kishë prej dhjetra vjetësh nuk përdorej për rite fetare dhe në të ishin kryer punime restaurimi nga ne, prandaj mesa duket, po të jetë e vërtetë se fshatarët faleshin dhe ndiznin qirinj në kishën e madhe, sepse e vogla gjithmonë qëndronte mbyllur, fakt të cilin e konstatuam vetë në kontrollin që bëmë disa muaj para shkatërrimit të saj.
Siç i kemi theksuar edhe Prokurorisë së rrethit të Shkodrës, shkatërrimi i kishës së Shën Mërisë në Vaun e Dejës, është një humbje e madhe për trashëgiminë tonë të së kaluarës në fushën e kulturës materiale. Ajo ishte një monument me rëndësi të madhe historike, arkitekturore dhe artistike, ndërtuar në shekullin e XIII-të: i vetmi i stilit romak në vëndin tonë (dhe ndër të rrallët në Ballkan), dhe i vetmi ndërtim që qëndronte në këmbë nga periudha e para pushtimit turk të Shqipërisë së Mesme dhe të Veriut. Përveç kësaj, në të ruheshin vlera të mëdha artistike në pikturat murale të ekzekutuara në periudha të ndryshme, duke filluar nga shekulli i XIV. Ky monument është bërë i njohur edhe jashtë vëndit tonë në botimet e Degrandit, Ipenit, Betinit, etj., nga ana tjetër duke pasur parasysh vlerën e veçantë të tij, është bërë objekt i një monografie të një punonjësi shkencor të të Institutit të Historisë dhe Gjuhësisë, monografi e cila është botuar në buletinin e shkencave historike Nr.3 të vitit 1964, së bashku me përmbledhjen në gjuhë të huaj, si dhe në Studica Albanica Nr.2, viti 1964. Për këto arsye, shkatërrimi i këtij monumenti të rëndësishëm nuk është vetëm një humbje e madhe për trashëgiminë e së kaluarës në fushën e kulturës materjale, por i ka sjëllë dëm edhe nga pikpamja politike.
Shkatërrimi i kishës së Shën Mërisë në Vaun e Dejës është rasti i gjashtë i shkatërrimit të monumenteve në rrethin e Shkodrës. Para disa vjetëve janë hedhur në erë dy monumente të rëndësishme, bezisteni dhe hamami në breg të Bunës, dëmtohet monumenti i kulturës pronë e Musa Dulit etj. Shkatërrimi i bezistenit dhe hamamit u bënë me paramendim natën me qëllim që të viheshin para faktit të kryer. Edhe këto raste i kemi denoncuar në Prokurorinë e rrethit të Shkodrës, por çështjet u pushuan kështu që indirekt të lejohet shkatërrimi i monumenteve të kulturës në këtë rreth.
Me këtë rast, e shohim të nevojshme t’ju vëmë në diejni edhe Prokuroritë e disa rretheve të tjera, si të Beratit, Lezhës, etj. Nuk përballen denoncimet tona lidhur me shkatërrimin e monumenteve të kulturës, ka patur ngurime për zbatimin e ligjeve në këtë drejtim dhe vërehet një farë pajtimi me veprimet e kundraligjëshme, qoftë edhe të organeve shtetërore apo të pushtetit, kur është rasti për shkelejet ligjore në këtë fushë.
Duke vepruar në këtë mënyrë nuk garantohet mbrojtja e monumenteve të kulturës në vëndin tonë dhe u lihet dorë të lirë personave të ndryshëm për t’i shkatërruara apo dëmtuar ato, duke përdorur kurdoherë arsyet e mos pasjes dijeni se janë monumente kulture.
Për këto arsye kërkojmë që të prishet vendimi i Prokurorisë së rrethit të Shkodrës për pushimin e çështjes penale si i pabazuar, si i paplotë dhe i njëanshëm, të bëhen hetime të plota dhe objektive dhe të nxirren përpara përgjegjësisë fajtorët. Dhënia e dënimit të merituar në këtë rast flagrant do të kishte efekt pozitiv për parandalimin në të ardhmen të veprimeve të kundraligjëshme ndaj monumentevce të kulturës.
D R E J T O R I
Gani Strazimiri
Letra e Prokurorisë së Përgjithshme për Prokurorinë e Shkodrës, ku i tërheq vërejtjen për mos hetimin e plotë të ngjarjes
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË
PROKURIRIA E PËRGJITHËSHME
Drejtoria e Hetuesisë Tiranë, më 30/X/1969
Nr. 626/III
PROKURORISË SË RRETHIT
(Sektori i Hetuesisë)
SH K O D Ë R
Dosja penale me të pandehur Muhedin Muço, i akuzuar për shkatërrim me dashje të monumenteve të kulturës nuk është hetuar plotësisht. Në to duhej të kryheshin edhe një seri veprimesh të tjera hetimore, që më kryesoret janë:
Materialit denoncues të Institutit të Monumenteve të Kulturës, i është bashkangjitur edhe proces-verbali datë 12/6/1969, i cili nuk është patur parasysh në veprimet hetimore që duhej të kryeheshin. Nga përmbajtja e këtij proces-verbali vërtetohet se Miltiadh Papai, përfaqësues i Monumenteve të Kulturës dhe Agim Kodraliu, inspektor në seksionin e Arsimit e Kulturës pranë Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të rrethit Shkodër, janë takuar me drejtorin e Ndërrmarjes, Emin Musliun, i cili ju kishte thënë se për shkatërrimin e kishës së Vaut të Dejës kishte dijeni dhe se këtë veprim e konsideronte krej normal. Pyetja me cilësinë e dëshmitarit e Miltiadh Papait dhe Agim Kodraliut ishte më se e nevojëshme sepse këta mund t’i hapin rrugë hetimit në drejtim të zhvillimit të subjektit.
Po kështu duhej të ishin pyetur sekretari i Komitetit të Partisë për Vaun e Dejës si dhe drejtori i Ndërrmarjes rreth faktit se kishin shqyrtuar fletë-rrufenë e punëtorëve, ç’kishin vendosur dhe a ju kishin dhënë përgjigjie me shkrim, në rast se fletë-rrufesë i kishin dhënë përgjigjie, duhej të ishte kërkuar kjo.
Dëshmitari Xhemal Borova, anëtar i Komitetit Profesional të Ndërrmarjes, tregon se kur u takua me Kasëm Koçiun, i kishte thënë se Komiteti i Partisë i dha përgjigjie fletë-rrufesë, që kisha të shëmbet. Kasëm Koçiu duhej të ishte pyetur për të dhënë shpjegime rreth këtij fakti, në se e kishte parë vetë përgjigjien, apo e kishte ndëgjuar nga të tjerët. Po kështu edhe Hashim Zyberit, duhej t’i ishte kërkuar për ta sqaruar se kush e kishte ndëgjuar që kishte dalë përgjigjia e fletë-rrufesë.
Dëshmitari Vangjo Pasho, inxhinjier ndërtimi, i cili ka marrë pjesë në minimin e kishës ka thënë: “….për këtë shëmbje besoj se ka dhënë aprovimin drrejtoria, për deri sa atje ka shkuar kompresori i ajrit, eksplozivi, etj”. Këtij dëshmitari duhej t’i ishin kërkuar të dhëna për të shpjeguar mënyrën e levizjes të kompresorit të ajrit dhe të materialeve të tjera, me qëllim që nëpërmjet tyre t’ë administroheshin prova për të zbuluar subjektin e krimit.
Duhej të ishte bërë ballafaqimi midis të pandehurit Muhedin Muço dhe dëshmitarit Hashim Zyberit, se a ishte e vërtetë që i pandehuri e kishte urdhëruar këtë të shkatërronte kishën, apo dëshmitari i’a kërkoi ndihmën këtij.
Disa nga dëshmitarët e pyetur tregojnë se nuk dinin që kisha ishte monument kulture, por pranojnë se tek dera e saj ishte shkruar diçka në italisht. Ripyetja e dëshmitarëve Matish Paloka dhe Pjetër Zefnikaj ose dhe dëshmitarët e tjerë që e kanë banesën në afërsi të kishës, nëse ka patur ndonjë mbishkrim tek dera e kishës në gjuhën italisht ose ndonjë gjuhë tjetër, ishte mëse e nevojshme.
Pra, të metat e mësipërme tregojnë se hetimi nuk ka qenë i plotë dhe i kujdesëshmëm. Vendimin e pushimit nuk e anulluam për shkak se çështjes i ka kaluar aktualiteti, por megjithë ato të meta t’i bëhen të njohura hetuesit për t’I patur parasysh nmë punën e tij.
Bashkangjitur ju kthejmë dosjen.
PROKURORI PËRGJITHSHËM
(Lefter Goga)
30-X- 1969
Përgjigjia e Prokurorisë së Përgjithëshme për Institutin e Monumenteve, ku njofton pushimin e çështjes penale
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË
PROKURORIA E PËRGJITHËSHME
Drejtoria e Hetuesisë Tiranë, më 5/XI/1969
Nr. 626/III
INSTITUTIT TË MONUMENTEVE TË KULTURËS
T I R A N Ë
Shqyrtuam ankesën t’uaj me Nr. 5/25 datë 30/8/1969, me të cilën kërkoni t’anullohet vendimi i pushimit të çështjes penale në ngarkim të pandehurit Muhedin Muços, i akuzuar për shkatërrimin me dashje të kishës së Shën Mërisë në Vaun e Dejës dhe nuk e gjejmë të drejtë. Nga hetimet e zhvilluara është vërtetuar në mënyrë të plotë se kisha është shkatërruar me lëndë eksplozive nga punëtorët e sektorit të Qyrsaqit, me urdhërin e të pandehurit. Por, për të patur ky përgjegjësi penale në bazë të nenit 295/2 K.P. duhej që të kishte dijeni se ajo ishte monument kulture, gjë që na provat e administruara kjo nuk vërtetohet.
Prokuroria e Rrethit të Shkodrës e bisedoj çështjen edhe në Komitetin e Partisë për të marrë të gjitha masat që veprimet e kësaj natyre të mos përsëriten më në t’arthmen.
PROKURORI I PËRGJITHSHËM
(Lefter Goga)
5/11/1969