Kancelarja gjermane Angela Merkel reagoi pas vendimit të Rusisë për të dëbuar tre diplomatë evropianë pse morën pjesë në protestat pro Alexey Navalnyt. Merkel e quajti këtë një vendim të pajustifikuar.
“Kjo është e pajustifikuar. Ky është një aspekt tjetër i asaj që po ndodh në Rusi sot dhe nuk ka asnjë lidhje me sundimin e ligjit.”
Deklaratën Merkel e bëri gjatë një telekonference me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, ku diskutuan edhe për ndërtimin e tubacionit të gazit Nord Stream 2. Merkel bëri të qartë se pavarësisht marrëdhënieve të acaruara me Rusinë, ky projekt nuk do të pezullohet.
“Berlini është i përgatitur të vazhdojë sanksionet kundër Rusisë, por është detyra ime diplomatike të mbaj hapur kanalet e komunikimit me fqinjin më të madh të Evropës. Gjermania për momentin këmbëngul në pozicionin e saj në ndërtiminn e tubacionit të gazit Nord Stream 2, që do të lidhë Rusinë dhe Gjermaninë, pavarësisht pikëpamjeve të kundërta të SHBA dhe vendeve të tjera”, shtoi Merkel.
Ajo sqaroi se marrëdhëniet mes vendeve në këto kohë nuk mund të ndikojnë tek Nord Stream 2.