Nga Alfred Peza
“Nga nesër do shihni një President tjetër. Do ketë një President tepër zyrtar. I hapur në çdo kohë për marrëdhënie zyrtare institucionale, të mirëdokumentuara dhe me dëshmitarë. Me Ramën, me Lulin, me Sorecën dhe me Kim. Me të katër nga nesër vetëm marrëdhenie dhe takime institucionale, me dëshmitarë dhe të mirëdokumentuara!”
Këto nuk janë fjalët e një njeriu që sapo ka hyrë në atë zyrë, por të Ilir Metës që po mbush plot tre vjet, në krye të shtetit. Deklarata erdhi pasi u mësua se nuk kishte patur kohë, të priste në zyrën e përfaqësuesit të unitetit të popullit shqiptar, kryediplomaten Amerikane në Tiranë. Ishin orët kur u bënë publike 14 pikat e Platformës së tij për Integrimin Europian, që synonte kapjen e reformës në drejtësi dhe krijimin e një sistemi paralel të vendimarrjes politike të vendit, jashtë institucioneve.
Ajo që habiti më shumë në deklaratën e bërë mbrëmë në emisionin “Opinion”, ishte pjesa ku përmendej emri i Lulzim Bashës, sesa ajo e ambasadorëve të SHBA dhe BE. Pak orë pas kësaj, Yuri Kim u takua sot me Kryetarin e Partisë Demokratike në zyrën e tij, duke përcjellë mesazhin për përfundimin brenda afatit të caktuar, të reformës elektorale.
Në këto dy qasje diametralisht të kundërta, të Ilir Metës dhe Lulzim Bashës në raport me Ambasadoren e SHBA në Tiranë, Yuri Kim mund të gjenden edhe një nga shkaqet kryesore, të çarjes gjithnjë e më të madhe mes tyre.
Zhvillimi që i vuri vulën, ishte qëndrimi për godinën e Teatrit Kombëtar, ku palët opozitare filluan të akuzonin njëra tjetrën. Fakt është se pas kësaj, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit po del gjithnjë e më hapur pro qëndrimeve të Ilir Metës, duke u distancuar gjithnjë e më shumë nga Lulzim Basha. Çka i jep gjithnjë e më shumë të drejtë zërave se kjo lëvizje mund të jetë, bërthama kryesore për tu shndërruar nesër në partinë e re të Ilir Metës.
Presidenti po mundohet që të forcoje gjithnjë e më shumë profilin e tij politik, për të qenë nesër një lider opozitar nacionalist, sovranist dhe kundër reformës në drejtësi. Kjo retorikë nuk është e panjohur në Ballkan dhe në vendet anëtare të BE. Liderët politikë e përdorin këtë qasje ekstremiste, si një manovër për të fituar përkrahës të dëshpëruar dhe nesër, vota në zgjedhjet e reja.
Retorika anti perendimore, anti BE dhe anti SHBA nuk ka patur idhtarë publikë, deri pak vite më parë në Shqipëri. Për shkak të rolit historik që ka luajtur për zgjidhjen e çështjes shqiptare, jo më kot jemi konsideruar, si populli më pro Amerikan në botë. Më pro anëtarësimit në NATO. E për shkak të ëndrrës për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa, edhe ndër popujt më pro Bashkimit Europian, madje më shumë se ato të vendeve anëtare vetë.
Kjo retorikë anti perendimore ka ardhur duke u forcuar, në përpjestim të drejtë me ecurinë e reformës në drejtësi vitet e fundit në Shqipëri, për shkak të rolit parësor që kanë për këtë SHBA dhe BE. Sa më shumë që reforma ka ecur, sa më shumë është këmbëngulur për implementimin e saj duke çuar në ngritjen dhe funksionimin e institucioneve të reja të drejtësisë, aq më shumë është rritur rezistenca e brendshme kundër saj. Flamurtarët e kësaj linje, vijnë nga elita e vjetër politike që kontrollonte deri dje drejtësinë e vjetër, e cila ndihet e frikësuar për shkak të mëkateve 30 vjeçare në qeverisjen e vendit.
Sa më shumë rritet kjo rezitencë ndaj reformës në drejtësi, aq më shumë shtohet retorika nacionaliste, anti amerikane, anti perendimore, anti BE dhe për rrjedhojë, gjuha dhe qëndrimet politike sovraniste në diskursin publik. Duke shkuar kaq larg, rrugët opozitare të Ilir Metës dhe Lulzim Bashës edhe për shkak të konkurencës së brendshme për lidershipin e opozitës, kanë ardhur duke u ndarë gjithmonë e më tepër. Aq sa tani kanë filluar që të dallojnë qartësisht, edhe me sy të lirë, nga pothuajse të gjithë.
Ndarja përfundimtare mes tyre, ende nuk ka ndodhur, për aq kohë sa Partia Demokratike ndodhet në rrugë. Por, ka gjithmonë një shans për Lulzim Bashën, për aq kohë sa ai nuk ka dalë hapur kundër reformës në drejtësi nga njëra anë. E nga ana tjetër, për aq kohë sa PD po vijon të luaj një rol konstruktiv për miratimin e reformës elektorale.
Ky ishte me sa duket edhe një nga mesazhet e Ambasadores Amerikane përkrah Lulzim Bashës, vetëm pak orë pasi Ilir Meta refuzoi që ta priste atë, në zyrën e Presidentit të Republikës së Shqipërisë!