
Një tjetër arrestim shokues ka nxjerrë në pah brutalitetin e policisë amerikane pas vrasjes së afrikano-amerikan George Floyd.
Këtë herë, viktima është një shtetas hispanik, Carlos Ingram Lopez, 27 vjeç, i cili vdiq gjatë arrestimit në Tucson, Arizona.
Në videon e kamerës trupore, të publikuar nga policia më shumë se dy muaj pas episodit, agjentët shihen duke e kapur të riun brenda një shtëpie.
Ata e prangosin dhe e mbajnë me fytyrën në tokë për 12 minuta ndërsa ai përpara vdekjes kërkonte ujë dhe pëshpëriste “ Nuk marr dot frymë”, njësoj si Floyd.
Pas vdekjes së këtij të fundit, protesta shpeshherë edhe të dhunshme, shpërthyen në Shtetet e Bashkuara e në pjesë të ndryshme të botës, ndërsa pas debatesh të forta, edhe Këshilli i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut miratoi një rezolutë kundër racizmit strukturor dhe dhunës policore.