Carlos Lehder Rivas, i cili ishte ndër të parët që trafikoi kokainë nga Kolumbia drejt Shteteve të Bashkuara në vitet 1970-1980, mbërriti në Frankfurt të martën dhe iu dorëzua autoriteteve gjermane, raporton “Der Spiegel”.
70-vjeçari, i cili ka nënshtetësi kolumbiane dhe gjermane, ishte dënuar nga një Gjykatë amerikane me 134 vite burg në vitin 1987, por më vonë bashkëpunoi me autoritetet dhe kaloi në programin e mbrojtjes së dëshmitarëve. Dhe duke qenë se është dënuar një herë në SHBA, nuk do të gjykohet më për të njëjtat krime në Gjermani.
“Der Spiegel” shkruan gjithashtu se Lehder, i cili nuk e ka fshehur kurrë admirimin e tij për Hitlerin, do të jetojë i ndihmuar nga një grup bamirësie në Gjemani.
I lindur në Armenia të Kolumbisë, nga një baba gjerman dhe një nënë kolumbiane në vitin 1949, Lehder kaloi pjesën më të madhe të fëmijërisë në shtetin amerikano-jugor, para se të shkonte në Nju Jork në moshën 15-vjeçare kur prindërit e tij u ndanë.
Sipas asaj që është raportuar në mediat kolumbiane, në SHBA ai u përfshi në botën e krimit, i dënuar për herë të parë në vitin 1973 për vjedhje makine. Në burg ai lidhi miqësi me trafikantin e drogës George Jung, të dy nisën rrjetin e trafikut të kokainës në SHBA.
Pasi u arratis për në Kolumbi kur DEA e shpalli në kërkim, Lehder u bë pjesë e Kartelit të Medelinit dhe operacioneve të Pablo Escobar. Në vitin 1987 bosi i drogës e spiunoi tek autoritetet kolumbiane dhe ai u arrestua, për t’u ekstraduar më pas në SHBA.
Raportohet se Lehder është sëmurë dhe udhëtimi i tij në Gjermani mendohet të jetë i fundit në jetën e tij.