Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borrell tha të enjten se retorika e Turqisë për Qipron po i rëndon tensionet me Bashkimin Evropian dhe se Ankaraja duhet të kuptojë se sjellja e saj po “e thellon ndarjen” nga blloku prej 27 vendesh.
“Ne i shohim veprimet dhe deklaratat e fundit të Turqisë për Qipron si diçka që bie ndesh me rezolutat e Kombeve të Bashkuara dhe që ndezin më tej tensionet”, tha zoti Borrell në një konferencë shtypi pas një takimi të ministrave të jashtëm të BE-së.
“Ne mendojmë se është e rëndësishme që Turqia të kuptojë se sjellja e saj po zgjeron ndarjen nga BE-ja … Për t’u kthyer në një axhendë pozitive, siç dëshirojmë, do të duhet një ndryshim themelor i qëndrimit të palës turke,” tha ai.
Zoti Borrell iu referua komenteve të Presidentit turk Reccep Tajip Erdogan, i cili bëri thirrje për një zgjidhje të barabartë “me dy shtete” për Qipron, gjatë një vizite këtë javë në pjesën e shkëputur turko-qipriote në veri të ishullit.
Zoti Erdogan tha gjithashtu se Turqia dhe Qiproja Veriore nuk do të tolerojnë më ato që ai i quajti “lojëra diplomatike” në mosmarrëveshjen ndërkombëtare mbi të drejtat e eksplorimit në Mesdheun lindor.
Turqia është kandidate zyrtare për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Qiproja është ndarë sipas vijave etnike që nga pushtimi turk në vitin 1974, që erdhi pas një grushti shteti jetëshkurtër i frymëzuar nga Greqia. Vetem
Ankaraja e njeh Qipron Veriore si shtet të pavarur dhe nuk ka marrëdhënie diplomatike me qeverinë e Qipros, e cila është anëtare e BE-së.
Qiproja e quajti vizitën e zotit Erdogan “provokuese dhe të paligjshme”.
BE-ja ka kërcënuar të vendosë sanksione mbi Turqinë lidhur me eksplorimet e paligjshme në det, kur udhëheqësit e saj të takohen muajin tjetër.
“Koha po kalon, dhe ne po i afrohemi një momenti kritik në marrëdhëniet tona me Turqinë,” tha zoti Borrell.
BE-ja nuk ka arritur ta bindë Ankaranë për të ndalur eksplorimet në ujërat për të cilat ka pretendime Greqia dhe Qiproja, por deri tani ajo nuk ka shkuar deri te vendosja e sanksioneve që kërkojnë Athina dhe Nikosia.
Gjermania, e cila ka udhëhequr bisedimet diplomatike me Ankaranë, synon t’i japë dialogut një shans të ri, për shkak të lidhjeve të ngushta tregtare BE-Turqi./ VOA