Shefi i Politikës së Jashtme dhe Sigurisë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell ka akuzuar Rusinë dhe Kinën se po pengon një përgjigje të unifikuar ndërkombëtare për puçin ushtarak në Mianmar, duke shtuar se BE-ja mund të ofrojë më shumë stimuj ekonomikë, nëse rikthehet demokracia në këtë shtet.
“Nuk është befasi që Rusia dhe Kina po bllokojnë përpjekjet e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuar, për shembull për të vendosur embargo të armëve”, tha Borrell më 11 prill.
“Konkurrenca gjeopolitike në Mianmar do ta bëjë më të vështirë gjetjen e një gjuhe të përbashkët”, tha Borrell, duke shtuar se “e kemi obligim që të tentojmë”.
Borrell tha se forcat e sigurisë kanë vrarë mbi 550 protestues të paarmatosur, përfshirë 46 fëmijë, gjatë protestave në Mianmar, që njihet ndryshe edhe si Birmani.
Protestat nisën pas puçit ushtarak të 1 shkurtit, kur ushtria mori pushtetin dhe arrestoi liderët e qeverisë civile, përfshirë edhe udhëheqësen de fakto të shtetit, Aung San Suu Kyi.
“Bota po sheh me tmerr teksa ushtria po përdorë dhunë ndaj njerëzve të saj”, tha Borrell.
Kina dhe Rusia kanë lidhje me forcat e armatosura në Mianmar, pasi janë dy furnizuesit kryesor të këtij shteti për armë.
Këshilli i Sigurimit i OKB-së javën e kaluar bëri thirrje për lirimin e Suu Kyisë dhe të burgosurve të tjerë dhe dënoi puçin ushtarak./ REL